Lidhje

Shtetet e Bashkuara shënojnë 6 vjetorin e sulmeve terroriste


Shtetet e Bashkuara shënuan sot 6-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, me ceremoni të ndryshme në gjithë vendin.

6 vjet pas sulmeve terroriste që ndryshuan Manhatanin përgjithmonë, njujorkezët u mblodhën sot në një park pranë vendit ku ngriheshin dikur kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë për këtë përvjetor. Ashtu si vitet e tjerë, ceremonia në Nju Jork kishte katër momente heshtjeje, çdo njeri prej tyre për të kujtuar kohën kur kullat binjake u goditën dhe u rrëzuan.

Si dhe në ceremonitë e viteve të shkuar, u lexuan emrat e më shumë se 2700 njerëzve që vdiqën kur kullat u shembën. Por ndryshe nga vitet e tjera, këtë herë emrat i lexuan zjarrfikësit dhe punonjësit e ndihmave që morrën pjesë atë ditë në operacionet e shpëtimit dhe gjetjes së viktimave.

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Majkëll Blumberg, kryesoi ceremoninë e rastit. Edhe ish kryetari i atëhershëm i Bashkisë, Rudi Xhuliani, iu drejtua të pranishëmve, megjithë kundërshtimet nga zjarrfikësit dhe familjet e viktimave, të cilët thanë se ai po e përdor 11 shtatorin për të avancur fushatën e tij presidenciale. Por zoti Xhuliani tha se ai ishte kryetari i bashkisë në atë kohë dhe kishte marrë pjesë në ceremoni të ngjashme çdo vit. Kryetari i Bashkisë Blumberg tha se 11 shtatori ishte një ditë e hidhur e historisë amerikane dhe një plagë për zemrat e këtij populli. “Ne po mblidhemi përsëri si Njujorkezë dhe si amerikanë për të ndarë humbjen e pamatë dhe për të kujtuar emrat e atyre që nuk mund të zëvendësohen”.

Anëtarët e familjeve të viktimave u mblodhën në vendin e Kullave Binjake dhe vunë kurora lulesh në kujtim të të vrarëve. Meqë atje po bëhen ndërtime, ceremonia e këtij viti u zhvilluan në një park aty pranë.

Presidenti Bush mbajti një minutë heshtje në Shtëpinë e Bardhë në orën 8:46 minuta për të shënuar atë moment të gjashtë vjetëve më parë kur avioni i parë i rrëmbyer goditi Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork. Ai shoqësohej nga nënpresidenti Çeni dhe anëtarët të tjerë të kabinetit.

Sekretari i Mbrojtjes, Rober Gejts, dhe shefi i shtatmadhorisë amerikane mbajtën fjalime në Pentagon, atje ku 6 vjet më parë humbën jetën 184 vetë pasi rrëmbyesit përplasën një avion në ndërtesë. Ai tha se akte të tilla terroriste nuk do të tolerohen. "Armiqtë e Amerikës, armiqtë e vlerave dhe lirisë tonë, nuk do t’i shpëtojnë goditjes tonë, sepse ne do t’i ndjekim ata pa pushim dhe pa rezerva”. Në Pensilvani, të afërmit dhe banorë të tjerë, përkujtuan 40 pasagjerët që humbën jetën kur një avion i katërt i rrëmbyer u përplas në një fushë.

Vendi i Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork ka tërhequr këtë vit një vemendje të madhe, pasi aty janë hedhur themelet e Kullës së Lirisë, por edhe disa projekte të tjera ndërtimi janë në proces në qendër të Manhatanit dhe në zonat përreth me një vlerë prej 10 miliardë dollarësh. Një përmendore e re do të ngrihet në Uashington për të kujtuar 59 pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit të avionit që u përplas në Pentagon dhe 125 njerëzve që u vranë atje.

Parku Përkujtimor i Uashingtonit do të ketë 184 njësi të veçanta për të nderuar viktimat. Për familjet e viktimave dhe për njerëzit që shpëtuan, Kulla e Lirisë në Nju Jork dhe Parku Përkujtimor në Uashingron janë shprehje e një dashurie solemne për ata që humbën jetën. //rd//

XS
SM
MD
LG