Lidhje

6 vjet pas 11 shtatorit, zyrtarët amerikanë besojnë se Al Kaida përbën kërcënim


Amerika sot përkujton 6-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001, me ceremoni që do të zhvillohen në Nju Jork dhe Uashington.

Presidenti Bush, Zëvendës Presidenti Çejni dhe Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs, do të mbajnë një minutë heshtje në oborrin e Shtëpisë së Bardhë. Në Nju Jork, punëtorët e shpëtimit dhe familjarë të viktimave do të lexojnë emrat e 2 750 viktimave të vrarë në Nju Jork.

Sipas njoftimete, hartuesi i sulmeve, udhëheqësi i al-Kaidës Osama bin Laden, do të publikojë një vidio-kasetë të re me rastin e këtij përvjetori. Një faqen kompjuterike islamike thuhej se bin Ladeni do të bëjë të njohur dëshirën e fundit të njërit prej vetëvrasësve më 11 shtator.

Gjashtë vjet pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara, zyrtarë të administratës së Presidentit Bush thanë se grupet ekstremiste islamike, dhe veçanërisht al-Kaida, vazhdojnë të jenë kërcënim për Shtetet e Bashkuara. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, raporton nga Kongresi ku zyrtarët dëshmuan përpara një komisioni të Senatit.

Drejtori për Sigurimin Kombëtar, Majkëll Çertoff, në një paraqitje përpara Komisioneve të Senatit për Sigurimin Kombëtar dhe të Marrëdhënieve Qeveritare, dha një vlerësim të fundit mbi kërcënimet që paraqesin grupet radikale islamike.

“Ata ende përpiqen të ndërmarrin sulme mbi Shtetet e Bashkuara, mundësisht në territorin e saj, dhe në qoftë se jo, kundër pikave strategjitke amerikane gjetkë. Unë mendoj se ata janë duke parë dy mundësi, të përgatisin operativë të cilët të mund të ndërmarrin sulme nga vende të tjera të botës, dhe gjithashtu, ata janë duke shpresuar t’i radikalizojnë ata brenda këtij vendi”.

Drejtori i Zbulimit Kombëtar, Majkëll Mekonell tha se al-Kaida është fuqizuar, pavarësisht përpjekjeve të Shtetet e Bashkuara për të shkatërruar këtë rrjet terrorist.

“Fakti se ata janë strehuar në zonat fisnore midis Afganistanit dhe Pakistanit, i ka dhënë mundësi të ambientohen dhe të përfitojnë me strehim, dhe me udhëheqësit e përkushtuar, ata kanë rikrijuar lidhjet ndërmjetëse. Por ata nuk kane nje numer te madh rekrutësh për të ndërmarrë akte që ata do të donin të kryenin”.

Dëshima u bë vetëm pak ditë mbasi udhëheqësi i al-Kaidës u paraqit në një video-kasetë në prag të 6-vjetorit të sulmeve terroriste mbi Qendrën Botërore të Tregëtisë dhe ne Pentagon.

Drejtori i Zbulimit Kombëtar, Mekonell tha se video-kaseta u analizua, por ai nuk beson se Bin Ladeni ishte duke thënë ndonjë mesazh specifik për pasuesit e tij.

Deri tani, ne nuk mendojmë se ky është një sinjal. Ai e ka bërë këtë vazhdimisht”.,- tha ai.

Zoti Mekonell tha se kërkimet për Osama bin Ladenin dhe për zëvendësin e tij, Ajman al-Zavahiri vazhdojnë të jenë përparësi për Shtetet e Bashkuara dhe burime të konsiderueshme janë vënë në dispozicion të kërkimit.

Drejtori i FBI-së, Robert Muller i tha Komisionit të Senatit se agjencia e tij është duke punuar kundër përpjekjeve të grupeve radikale për të rekrutuar përkrahës në Shtetet e Bashkuara.

“Ne kemi individë në Shtetet e Bashkuara, të cilët janë besnikë të kësaj ideologjie, të ideologjisë ekstremiste dhe ne punojmë me homologët tanë, që të kemi mundësinë t’i identifikojmë dhe pas identifikimit, ne përcaktojmë se a ka pjesëmarrës të tjerë këtu, apo në vende të tjera të botës; ne punojmë t’i shkatërrojmë këto komplote”.

Drejtori i FBI-së, Muller tha se agjencia e tij është duke punuar me komunitetin mysliman amerikan, për të gjetur mënyra për të bërë të njohur problemin e radikalizmit.//lk

XS
SM
MD
LG