Lidhje

Koshtunica paralajmëron kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës


Kryeministri i Serbisë, Vojislav Koshtunica, paralajmëroi sot në Bruksel kundër shpalljes së njëanëshme dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës. Por Shtetet e Bashkuara i përmbahen deklaratës së tyre të korrikut se plani Ahtisari është zgjidhja më e mirë nëse palët në negociata nuk bin dakord për një zgjidhje tjetër.

Kryeministri i Serbisë, Vojislav Kostunica, tha sot në Bruksel, pas takimit me Presidentin e Parlamentit Evropian Hans-Gert Potering, se deklaratat e përsëritura të zyrtarëve amerikanë në mbështetje të pavarësisë së Kosovës kërcënojnë stabilitetin në Ballkan.

"Më duhet të paralajmëroj kundër deklaratave në favor të shpalljes së njëanëshme të pavarësisë në qoftë se negociatat dështojnë”, tha ai pas bisedimeve që pati në Bashkimin Evropin. "Ne jemi të mendimit se komuniteti ndërkombëtar dhe gjithë institucionet e Bashkimit Evropian duhet të bëjnë të njejtin paralajmërin dhe jo vetëm në këtë periudhë negociatash, që të mos dërgohen mesazhe të tilla”.

Zoti Koshtunica ritheksoi pikpamjen e Beogradit se mënyra më e mirë për të shkuar përpara është që Kosovës t’i jepet autonomi e zgjeruar në kuadrin e Serbisë.

"Do të doja të theksoja se propozimi serb është mëse konstruktiv, mëse konkret dhe mëse i detajuar, kur është fjala për autonominë e zgjeruar të Kosovës brenda Serbisë”.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana, tha se do të bëjë ç’është e mundur që ky proces të përfundojë me një zgjidhje”.

Por ai paralajmëroi se procesi nuk do të zgjatë pafundësisht.

"Afati, siç dihet, është 11 dhjetori, kur Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara do të donte të kishte raportin”.

Negociatat për satusin e Kosovës, të ndërmjetësura nga Shtetet e Bashkura, Bashkimi Evropian dhe Rusia, kanë hyrë në fazën e tyre përfundimtare, por Uashingtoni ua ka bërë të qartë shqiptarëve se do ta njohi pavarësinë e Kosovës, nëse negociatat dështojnë. Në një intervistë me Zërin e Amerikës ditët e fundit, ndihmës-sekretarja e Shtetit, Rozmeri di Karlo u shpreh:

“Nëse palët nuk arrijnë një marrëveshje, qëndrimi ynë mbetet i njëjtë: e thamë më 20 korrik së bashkë me bashk-sponsorizuesit e tjerë të projekt-rezolutës për Kosovën në Nju Jork se nëse palët nuk arrijnë një marrëveshje, ne mendojmë se plani Ahtisari mbetet alternativa më e mirë për të vazhduar në të ardhmen”.

Kryeministri i Serbisë, Vojislav Koshtunica këmbëngul se “Kombet e Bashkuara dhe Këshilli i Sigurimit janë institucionet e vetme në kuadrin e të cilave duhet trajtuar dhe zgjidhur çështja e statusit të Kosovës”. //iç//

XS
SM
MD
LG