Lidhje

Kryeministri i Japonisë njofton se do të japë dorëheqjen


Kryeministri i Japonisë Shinzo Abe njoftoi se do të japë dorëheqjen, pas gati një viti të rënies së mbështetjes për qeverinë e tij të përfolur për korrupsion. Zoti Abe tha sot se Japonia ka nevojë për një udhëheqës të ri në luftën kundër terrorizmit, për një figurë që të gëzojë mbështetjen dhe besimin e publikut.

Javën e kaluar kryeministri kishte kërcënuar se do të jepte dorëheqjen nëse parlamenti nuk e zgjaste misionin e Japonisë në Afganistan. Ligji, që i lejon forcat e marinës japoneze të furnizojnë me karburant anijet e koalicionit në Oqeanin Indian, skadon më 1 nëntor.

Partia Demokratike e opozitës, e cila në korrik fitoi shumicën e vendeve në Dhomën e Lartë të parlamentit, ishte kundër zgjatjes së misionit.

Analistët thonë se zoti Abe po e jep dorëheqjen për të mos lejuar opozitën të votojë kundër misionit në Afganistan. Që pas ardhjes në pushtet shtatorin e kaluar, ai ishte zotuar të shtonte angazhimin e Japonisë në çështjet e sigurimit global dhe të rishikonte kushtetutën paqësore të vendit. //iç//

XS
SM
MD
LG