Lidhje

SHBA shpreh shqetësim për përhapjen e armëve nga Koreja e Veriut


Departamenti i Shtetit thotë se Shtetet e Bashkuara kanë shqetësime të vazhdueshme për aktivitetet e përhapjes së armëve nga ana e Koresë së Veriut pavarësisht nga hapat e bëra në procesin e çarmatimit bërthamor gjatë bisedimeve gjashtë-palëshe. Një gazetë amerikane thoshte sot se Koreja e Veriut mund të jetë duke ndihmuar Sirinë në ndërtimin e një uzine bërthamore.

Departamenti i Shtetit thotë se zhvillimet e fundit në procesin gjashtë-palësh sugjerojnë se Koreja e Veriut ka bërë një zgjedhje strategjike duke hequr dorë nga programi i saj bërthamor, megjithatë shqetësimet vazhdojnë të ekzistojnë në Uashington se Pheniani mund të jetë duke eksportuar teknologjinë e armëve.

Komentet pasojnë një njoftim të gazetës Washington Post sot se shërbimet sekrete amerikane kanë marrë informacion, si dhe fotografi satelitore, që tregojnë se Koreja e Veriut mund të jetë duke bashkëpunuar me Sirinë lidhur me një lloj uzine bërthamore. Një pjesë e mirë e këtij informacioni thuhet të ketë ardhur nga Izraeli.

Gazeta, e cila citon burime qeveritare, thoshte se të dhënat ishin paraprake dhe se disa analistë janë skeptikë për faktin se dy vendet mund të jenë duke punuar së bashku në fushën bërthamore, pavarësisht nga bashkëpunimi i raketave në të kaluarën.

Në një bisedë me gazetarët, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Sean McCormack nuk pranoi të komentonte, siç ndodh zakonisht në raportet ku citohen shërbimet sekrete amerikane. Megjithatë, ai tha se shqetësimet për përhapjen e armëve nga ana e Koresë së Veriut vazhdojnë të ekzistojnë.

“Shqetësimet tona rreth sjelljes së Koresë së Veriut në lidhje me çështjen e përhapjes së armëve i kemi shprehur publikisht. Komuniteti i shërbimeve sekrete ka dokumenta publike që flasin për përhapjen e armëve në përgjithësi, dhe Koreja e Veriut është e përfshirë. Në Korenë e Veriut ka entitete të caktuara që merren me përhapjen e armëve. Ekziston gjithashtu edhe një rezolutë e Këshillit të Sigurimit në fuqi e cila trajton pjesërisht sjelljen e Koresë së Veriut”.

Shtetet e Bashkuara i kanë përmendur vazhdimisht organet shtetërore të Koresë së Veriut në lidhje me eksportimin e raketave balistike dhe teknologjisë së lidhur me ta gjatë viteve të fundit.

Dy rezoluta të Këshillit të Sigurimit vitin e kaluar, duke përfshirë njërën që dënon provën bërthamore të Koresë së Veriut në muajin tetor, bënin thirrje për masa ndërkombëtare në parandalimin e trafikimit nga ai vend të teknologjisë së armëve të shkatërrimit në masë.

Koreja e Veriut ra dakort në bisedimet gjashtë-palëshe të organizuara nga Kina në muajin shkurt që ta linte programin e saj bërthamor në shkëmbim të ndihmave energjitike dhe përfitimeve diplomatike, dhe mbylli kompleksin e reaktorëve në Yongbyon në korrik të këtij viti.

Departamenti i shtetit thotë se Pheniani u dha këtë javë ekspertëve të Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës qasje të plotë në Yongbyon për të shqyrtuar mundësitë e nxjerrjes së përhershme nga funksioni të kësaj uzine gjatë fazës tjetër të marrëveshjes së çarmatimit.

Zëdhënësi Sean McCormack e mirëpriti këtë zhvillim si tregues se Pheniani ka bërë zgjedhjen strategjike për t’u çarmatosur, dhe tha se pret që ndihmës sekretari i shtetit për punët e Azisë Lindore, Kristofer Hill, të shkojë në Pekin javën e ardhshme për bisedimet gjashtë-palëshe në seancën e nivelit të përfaqësuesve kryesorë.

Kjo seancë do t’i hapë rrugën takimit të parë në nivelin e ministrave të gjashtë palëve, duke përfshirë Japoninë, Rusinë, Korenë e Jugut, së bashku me Shtetet e Bashkuara, Korenë e Veriut dhe Kinën i cili pritet të mbahet në kryeqytetin kinez muajin e ardhshëm. //iç//

XS
SM
MD
LG