Lidhje

Nikolas Bërns: SHBA mbështet planin Ahtisari që çon drejt pavarësisë së Kosovës


Nënsekretari amerikan i Shtetit për çështjet politike, Nikolas Bërns, e bëri edhe një herë të qartë mbrëmë në Këshillin e Atlantikut, këtu në Uashington qendrimin Shteteve të Bashkuara për statusin përfundimtar të Kosovës, duke thënë se në mungesë të një zgjidhjeve të pranueshme nga Beogradi dhe Prishtina, plani Ahtisari është rruga e vetme për statusin e Kosovës dhe ky plan çon drejt pavarësisë.

Nënsekretari Bërns tha se Shtetet e Bashkuara kanë caktuar ambasadorin Frenk Uizner, një nga diplomatët më të mirë amerikanë, që sëbashku me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian, Volfgang Ishinger, dhe atë rus, Alksandër Botan Karçenko, të shikojnë mundësinë e përparimit në këtë çështje nëpërmjet bisedimeve mes Beogradit dhe Prishtinës, pra mes udhëheqjes serbe dhe asaj të shqiptarëve të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara, tha zoti Bërns, do të respektojnë çdo marrëveshje që të arrijnë palët. Në mungesë të një zgjidhjeve, tha ai, Amerika do ta bëjë përsëri të qartë qendrimin e saj:

“Në qoftë se deri më 10 dhjetor ata nuk kanë arritur një marrëveshje, kam besim të plotë se atëhere Shtetet e Bashkuara do argumentojnë përsëri dhe do të shprehin edhe një herë konkretisht mbështetjen e tyre të fuqishme për planin Ahtisari, dhe ai plan çon drejt pavarësisë”.

Gjatë fjalës së tij lidhur me marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë, nënsekretari amerikan i Shtetit vlerësoi rolin e këtij vendi në disa rajone të botës si dhe në Ballkan.

Zoti Bërns tha se Turqia ka dhënë një ndihmesë të madhe në Kosovë krahas Shteteve të Bashkuara që në vitet 1998 – 1999 dhe aktualisht ka atje një personel ushtarak prej 600 trupash.

“Në një kohë kur ne po shikojmë drejt pavarësisë së Kosovës deri nga fundi i këtij viti, qeveria turke po luan një rol konstruktiv edhe në këtë çështje”

Zoti Bërns tha se Turqia si një shtet laik në një vend dhe shoqëri me shumicë myslimane, njëkohëshit pjesë e Evropës dhe e Lindjes së Mesme, është një aleat i pazëvendësueshëm në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.

Nënsekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Politike, Nikolas Bërns, ishte ftuar në Këshillin e Atlantikut në kuadër të serisë së diskutimeve për udhëheqjen globale ku foli për marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Turqinë dhe rolin e këtij vendi në shumë rajone të botës. Të pranishëm të takim ishin diplomatësh të huaj, akademikë, përfaqësues të shtypit dhe zyrtarë dhe ish zyrtarë të lartë amerikanë. //iç//

XS
SM
MD
LG