Lidhje

A do të kthehet Kosova në një “konflikt të ngrirë”?


Analistë politikë në Beograd kanë mendime të ndryshme lidhur me ecurinë dhe pasojat e statusit përfundimtar të Kosovës. Disa thonë se Kosova mund të kthehet në një “konflikt të ngrirë”, ndërsa të tjerë janë më pragmatikë në vlerësimin e gjendjes, duke thënë se është në interesin më të mirë të Serbisë të hyjë në Bashkimin Evropian dhe të heqë dorë nga Kosova se sa ta braktisë këtë mundësi ose të hyjë në luftë për ta mbajtur Kosovën brenda kufijve të saj.

Ndërkohë që statusi përfundimtar i Kosovës nuk është vendosur ende dhe pritet zhvillimi i takimit të parë të drejtpërdrejtë mes shqiqtarëve dhe serbëve në Kombet e Bashkuara në Nju Jork më 28 shtator, analisti politik, Bratislav Brubacic në Beograd thotë se Kosova mund të kthehet në një “konflikt të ngrirë”.

"E gjithë çështja e Kosovës nuk do të zgjidhet deri më 10 dhjetor dhe për mendimin tim e gjithë kriza e Kosovës do të vazhdojë edhe më pas. Ne po shkojmë drejt atij që mund ta përkufizojmë si ‘konflikt të ngrirë’. Ka shumë të ngjarë që pala serbe të mos e pranojë shpalljen e njëanëshme të pavarësisë së Kosovës, ndërsa shqiptarët po shkojnë drejt saj. Disa nga vendet e botës do ta njohin atë, disa të tjerë jo. Serbia në asnjë mënyrë nuk do ta pranojë atë, prandaj praktikisht ne do ta gjejmë veten në një situatë që do të vazhdojë shumë më gjatë nga sa do të donte dikush”.

Serbia dhe Rusia e kanë kundërshtuar planin e mbështetur nga Perëndimi për t’i dhënë Kosovës pavarësi të mbikqyrur.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se në mungesë të një marrëveshjeje mes palëve, plani Ahtisari, që parashikon pavarësi të mbikqyrur, është varianti më i mirë i zgjidhjes së statusit.

Një tjetër analist në Beograd, Drejtori i Qendrës për Zgjedhjet e Lira dhe Demokracinë, Marko Blagojevic, thotë se serbët po shqyrtojnë avantazhet ekonomike që mund t’i sjellë vendit anëtarësimi në Bashkimin Evropian, nëse e lejojnë Kosovën të shkëputet nga Serbia.

"Sa më real të jetë anëtarësimi në Bashkimin Evropian, integrimi në struktuar evropiane, aq më pak njerëzit do të ishin të gatshëm ta injoronin këtë mundësi, edhe kur është fjala për ta shkëmbyr atë me Kosovën. Më shumë se 60 përqind e banorëve nuk do të donin të hiqnin dorë nga një standard më i mirë jetese, ndërsa më shumë se 70 përqind e banorëve nuk do të ishin të gatshëm të hynin në luftë për ta mbajtur Kosovën brenda kufijve të Serbisë”.

Muajin e kaluar udhëheqësit shqiptarë dhe serbë u takuan veçazi me të dërguarit e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Rusisë për të diskutuar të ardhmen e Kosovës. Nesër dhe pasnesër, negociatorët serbë dhe shqiptarë do të takohen në Londër me Grupin e Kontaktit. //iç//

XS
SM
MD
LG