Lidhje

Uashingtoni dhe Moska larg marrëveshjes për sistemin anti-raketë në Evropë


Zëvendës Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Kisliak tha se vendi i tij dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë arritur deri tani të zgjidhin mosmarrëveshjet rreth planeve amerikane për të vendosur një sistem mbrojtës nga raketat në Evropën qendrore.

Duke folur sot në Moskë zoti Kisliak tha se bisedimet do të vazhdojnë, por shtoi se pas dy raunde negociatash, ende nuk është arritur një zgjidhje. Rusia e kundërshton me forcë planin amerikan për të vendosur 10 sisteme raketash interceptuese në Poloni dhe një qendër radarësh në Çeki.

Presidenti rus Vladimir Putn thotë se dislokimi i këtyre sistemeve do të çojë në një garë të re armësh në Evropë. Administrata e Presidentit Bush thotë se sistemi i raketave synon të mbrojë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evropianë nga një sulm i mundshëm me raketa nga shtete të papërgjegjshme.

Moska ka propozuar që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia të shfrytëzojnë së bashku një qendër ekzistuese radarësh në Azerbaixhan. Një delegacion amerikan ishte dje për vizitë në qendrën në fjalë, në kuadër të studimit të ofertës ruse. //rd//

XS
SM
MD
LG