Lidhje

Veton Surroi: Sovraniteti, pavarësia, shtetësia, nuk janë formula etiketash por përmbajtje thelbësore


Udhëheqësit shqiptarë të Kosovës u takuan të mërkuren në Londër me negociatorët nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Rusia për bisedime lidhur me statusin e ardhshëm të Kosovës. Dje, ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian, Volnfgang Ishinger i tha gazetës britanike "The Independent" se të dyja palët duhet të qëndrojnë larg etiketimeve të tilla si pavarësia. Ambasadori Ishinger tha se palët duhet të arrijnë një zgjidhje që do të japë një status të mbikëqyrur nga komuniteti ndërkombëtar për Kosovën. Të dyja palët pritet të zhvillojnë takimin e tyre të parë të drejtëpërdrejtë, në fund të shtatorit në Nju Jork. Për të marrë reagime lidhur me takimin e sotëm të palës shqiptare me treshen ndërkombëtare Zëri i Amerikës zhvilloi një intervistë me kryetarin e Partisë Ora, zotin Veton Surroi.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, si shkoi takimi i sotëm, çfarë të rejash sjell ky takim për ju?

Veton Surroi: Po ne i ofruam treshes një dokument të ri, në fakt dy dokumente të reja, që kanë të bëjnë me traktatin dhe parimet e traktatit të fqinjësisë së mirë me Serbinë në të ardhmen, ka të bëjë me një koncept të ri i cili është ndërtimi i marrëdhënieve mes dy shteteve të pavarura. Për ne pavarësia nuk është etiketë, për ne pavarësia është një qëndrim i padiskutueshëm, i panegociueshëm dhe i cili nuk vihet në tavolinë por shërben si bazë për të ndërtuar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me Serbinë.

Zëri i Amerikës: A kërkuat sqarime nga i dërguari evropian Volfgang Ishinger, mbi komentet që bëri dje?

Veton Surroi: Në fakt nuk kishte nevojë për sqarim sepse as ne nuk jemi të mendimit që pavarësia duhet të vihet në tryezë të diskutimeve. Ajo që ne sqaruam është se për ne formulimet si sovraniteti, pavarësia, shtetësia, nuk janë formula etiketash por janë përmbajtje thelbësore e asaj çfarë duam dhe ku synojmë të ecim.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi ju thoni se Kosova do të jetë e pavarur. Si parashikoni ju të arrini tek pavarësia kur një prej anëtarëve të treshes, përfaqësuesi rus, thotë se është kundër pavarësisë dhe një tjetër, përfaqësuesi evropian, thotë se fjala pavarësi nuk duhet përdorur?

Veton Surroi: Pavarësia është një nevojë e qytetarëve të Kosovës dhe rezultati i pavarësisë është obligimi i institucioneve të Kosovës. Jemi në një moment historik. Pavarësia është pjesë e një procesi të bashkimit të popullit të lirë dhe shteteve të lira evropiane dhe në këtë proces Rusia nuk ka të drejtën e vetos.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, kur ambasadori Ishinger flet për "status të mbikqyrur rreptësisht nga komuniteti ndërkombëtar", për çfarë statusi bëhet fjalë?

Veton Surroi: Po ne e kemi të qartë se do të ketë një mbikëqyrje ndërkombëtare të pavarësisë, dhe kjo është evidente në paketën e zotit Ahtisari. Por ajo që është më e rëndësishme sesa deklarimet e zotit Ishinger dje në një gazetë është përmbajtja e asaj që kemi bërë sot. Sot përshembull kemi paraqitur një qëndrim i cili është i avancuar në kuptimin e këtij shekulli përsa i përket minoriteteve. Ne kemi prezantuar qëndrimin se duhet të rregullojmë marrëdhëniet mes dy shteteve në atë lloj mënyre që të respektojmë atë pjesë të paketës së të drejtave minoritare e cila shërben si pjesa më e avancuar. Në këtë drejtim kemi kërkuar që të ulemi bashkarisht me Beogradin dhe të shikojmë se çfarë është e mundur të aplikohet nga pakoja jonë e çështjeve minoritare në Luginën e Preshevës, gjithësisht si do ti regullojmë marrëdhëniet mes shtetit dhe minoritetit shqiptar atje.

Zëri i Amerikës: A është plani Ahtisari ende i vlefshëm?

Veton Surroi: Plani Ahtisari është i vlefshëm përsa i përket kuvendit të Kosovës. Kuvendi i Kosovës ka marrë obligim më 5 prill që të implemetojë në legjislativin e vet atë që jemi marrë vesh me bashkësinë ndërkombëtare. Kjo është një kontratë me bashkësinë ndërkombëtare. Ne kemi ndërmend të zbatojmë pjesën tonë të kontratës dhe jemi të bindur që zbatimi i kësaj pjese të kontratës do të jetë e një pjese, e një rrumbullakësimi të përbashkët që do ta kemi me bashkësinë ndërkombëtare përsa i njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, pas komenteve të fundit të zyrtarëve evropianë, a shikoni rrezik që Kosova të kthehet në një konflikt të ngrirë pas dhjetorit?

Veton Surroi: Kosova ka qenë gjatë këtyre viteve në një formë apo tjetër një konflikt i ngrirë. Mos harroni që një pjesë e territorit të Kosovës, veriu nuk administrohet prej tetë vjetësh nga UNMIK-u as nga autoritetet e Kosovës. Ne duhet të bëjmë përpjekje që pavarësia të fillojë një proces tjetër që është procesi i integrimit të territorit të Kosovës. Duhet të jemi të vetëdijshëm dhe duhet të jemi të vetëdijshëm për të gjitha problemet, për të gjitha rreziqet. Por ky është një moment historik e përsëris. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për pavarësi, institucionet e Kosovës kanë nevojë që këtë çështje ta përfundojnë, ta përgatisin vendin dhe ta sjellin në vendin e duhur në momentin e duhur.

Zëri i Amerikës: A jeni i shqetësuar nga fushata intensive diplomatike që ka ndërmarrë Serbia kohët e fundit dhe a ka gjasa për një shtyrje tjetër të negociatave?

Veton Surroi: Gjithmonë ka gjasa por ajo çka ne kemi dhënë si përgjigje është se për ne kjo është pjesa finale e një procesi të cilin e patëm iniciuar më herët me presidentin Ahtisari. Ne mund të kalojmë jo 120 ditë po 120 vjetë dhe në fund do të mbërrijmë prapë tek e njëjta pyetje: A duhet të jetë Kosova e pavarur apo Jo? Ne përgjigjen për këtë e kemi dhënë. Kosova duhet të jetë e pavarur, institucionet duhet ta përmbushin këtë obligim. Serbia sigurisht po vepron me trupin e vet diplomatik. Është treguar agjile, por Serbia ka mbetur me të njëjtin mesazh me të cilin ka qenë me Milosheviçin e ky është administrimi i Kosovës. Kosova me gjithë përvojën e vet të hidhur, me këtë lëvizje historike që ka pasur dhe në vitin 1999, nuk do të tolerojë, nuk do të mundësojë në asnjë mënyrë që të krijojë as premisat elementare që të ketë ndonjë ndërhyrje administrative të Serbisë. //rd//

XS
SM
MD
LG