Lidhje

Çështjet që do të përcaktojnë Zgjedhjet 2008


Lufta në Irak duket se do të jetë një çështje madhore në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të vitit 2008. Por edhe kujdesi shëndetësor dhe çështjet ekonomike janë ndër përparësitë e kandidatëve.

Për muaj me radhë, sondazhet kanë treguar se shqetësimet për kujdesin shëndetësor dhe ekonomia janë çështjet më të rëndësishme pas luftës në Irak. Së fundmi edhe kandidatja demokrate për presidente dhe senatorja Hillary Clinton paraqiti një plan të hollësishëm për reformën e kujdesit shëndetësor. “Ne mund të flasim sa të duam për liri dhe shanse, për jetën, të drejtat civile dhe për të qenë i lumtur. Por çfarë kuptimi kanë ato për një prind që nuk mund të çojë dot fëmijën tek doktori, apo për dikë që nuk mund të bëjë punën që ka ëndërruar se nuk i ofron kujdes shëndetësor”, tha senatorja.

Kandidatë të tjerë demokratë, përfshirë senatorin Barack Obama dhe ish-senatori John Edwards, i kanë paraqitur propozimet e tyre për sistemin shëndetësor.

Kandidatët republikanë për presidentë janë në përgjithësi kritikë ndaj një roli të madh të qeverisë në projektet e kujdesit shëndetësor propozuar nga demokratët. Por kandidati republikan për president dhe ish-guvernatori i Arkanasasë Mike Huckabee e pranon se shqetësimet për koston dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor do të jenë një temë e rëndësishme për fushatën e vitit 2008. “Ne me të vërtetë kemi një problem të madh sepse sistemi ynë është shumë problematik sepse përqendrohet tek ndërhyrja kur sëmundja ka arritur në një fazë të avancuar, në vend të parandalimit”, thotë kandidati.

Zgjedhjet presidenciale janë përcaktuar në përgjithësi nga gjendja e ekonomisë, dhe 2008-a duket se po ndjek këtë prirje. Dy nga temat kryesore të debatit kanë të bëjnë me vendet e punës dhe me taksat.

Përveç shqetësimeve për Irakun dhe ekonominë, është çështjet sociale mund të luajnë një rol kyç në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Larry Sabato drejton qendrën për politika në Universitetin e Virxhinias. “Liberalët do të bëjnë përpjekje të mëdha në favor të Demokratëve, ndërsa konservatorët në favor të republikanëve sepse janë në një mendje me ta për çështjen si aborti, të drejtat e homoseksualëve, dënimin me vdekje, imigracionin dhe armëmbajtjen, tema për të cilat amerikanët janë sensitivë aktualisht”. Përveç këtyre çështjeve, shqetësimet për terrorizmin dhe sigurinë kombëtare vazhdojnë të jenë mes përparësive kryesore të votuesve për zgjedhjet e vitit 2008. //rd//

XS
SM
MD
LG