Lidhje

De Marnhac: Qëndrueshmëria – faktor thelbësor për të ardhmen e Kosovës


Komandanti i forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë, gjenerali francez Xavier Bout de Marnhac tha sot në Prishtinë se qëndrueshmëria e Kosovës është me rëndësi thelbësore për përcaktimin e së ardhmes së saj politike.

Ai i bëri këto komente në takimin e parë me gazetarë pas marrjes së komandës së KFOR-it, i cili sipas tij është më i përgatitur se kurrë për ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt. Ai tha se Kosova po kalon një periudhë të veçantë kur është e angazhuar në proces të dyfishtë, në njërën anë janë zgjedhjet, ndërsa po vazhdon edhe procesi për zgjidhjen e statusit politikë.

Që të dyja proceset janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës dhe gjatë kësaj periudhë është me rëndësi që të gjithë të jenë të vetëdijshëm për nevojën e ruajtjes së sigurisë dhe stabilitetit. “Perceptimi i qëndrueshmërisë së Kosovës është faktor thelbësorë për çfarëdo vendimi që do të merret për të ardhmen e saj dhe çdo prishje e këtij perceptimi do të jetë shumë e dëmshme për të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha ai. Shtimi i postblloqeve të KFOR-it gjatë ditëve të fundit sipas tij është bërë për shkak të fushatës për zgjedhjet, ndërsa mohoi të ketë ndonjë kërcenim më të madh për sigurinë deri më 10 dhjetor, kur pritet përmbyllja e procesit të negociatave shtesë për statusin e Kosovës. Ai shprehu bindjen se as pas asaj date nuk do të ketë ndonjë kërcënim të madh për sigurinë në Kosovë, pavarësisht deklarimeve të disa zyrtarëve serb se mund të ketë dhunë në Kosovë nëse Prishtina merr ndonjë veprim të njëanshëm politikë për shpalljen e pavarësisë së saj. “Nuk besoj se ndokush përreth Kosovës që ka arsye, mund të pres që të zgjidhë situatën nëpërmjet ndonjë veprimi ushtarak. Siç e dini prapa KFOR-it qëndron tërë NATO-ja prandaj nuk duhet përmendur kërcënimet e tilla që për mua janë më shumë komente për opinionin publik, ndërsa nga pikëpamja ushtarake theksoi ai, janë komente pa kuptim”. Të tilla ai i cilësoi edhe deklaratat e zyrtarëve serb se NATO-ja po krijon një shtet të saj në Ballkan.

Rreth 16 mijë pjesëtarë të forcave paqeruajtëse kujdesen aktualisht për sigurinë në Kosovë dhe sipas zyrtarëve të NATO-s ky numër do të mbetet i pa ndryshuar të paktën deri në përfundim të procesit të zgjidhjes së statusit politikë të Kosovës. Zyrtarët e Aleancës Veri atlantike kanë pohuar se NATO-ja do të vazhdojë të jetë e pranishme në Kosovë edhe pas zgjidhjes së statusit të saj. //rd//

XS
SM
MD
LG