Lidhje

Fjalimi i presidentit Bush në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së


Presidenti Bush njoftoi sanksione më të rrepta ndaj regjimit ushtarak të Birmanisë, ndërkohë që në atë vend vazhdojnë demonstratat pro-demokracisë. Në fjalimin që mbajti në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, zoti Bush theksoi nevojën për të respektuar liritë e përcaktuara në Deklaratën Universale të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.

Presidenti Bush i bëri thirrje Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për respektimin nga të gjitha vendet anëtare të Deklaratës së vitit 1948 për të Drejtat e Njeriut, për të çliruar popujt nga tirania, dhuna, varfëria dhe sëmundjet.

Zoti Bush tha se mënyra më e mirë për të mposhtur terrorizmin dhe ekstremistët është sfidimi i “ideologjisë së tyre të errët” me një vizion shpresëdhënës. Ai përshëndeti vendet që kanë shënuar kohët e fundit rezultate në mbështetje të lirisë, përfshirë Ukrainën, Gjeorgjinë, Kirgistanin, Mauritaninë, Sierra Leone dhe Marrokun. Ai tha se çdo komb i qytetëruar ka përgjegjësinë të ngrihet në mbrojtje të popujve që vuajnë nën diktaturë si në Bjellorusi, Korenë e Veriut, Siri dhe Iran.

Por Presidenti Bush i vuri një theks të veçantë Birmanis, që ka qënë skenë e protesave të ditëve të fundit pro-demokracisë. Ai tha se amerikanët janë të indinjuar nga “një regjim 19 vjeçar që ka mbjellë frikë” në Birmani dhe që vazhdon të mbajë të izoluar udhëheqësen e lëvizjes për demokraci, Aung San Su Ki dhe të burgosur të tjerë politikë.

President Bush tha se administrata e tij do të shtojë sanksionet ndaj qeverisë së Rangunit në përpjekje për të nxitur ndryshime paqësore në Birmani. Shtetet e Bashkuara do të shtërngojnë sanksionet ekonomike ndaj udhëheqjes së Birmanisë dhe regjimeve që e mbështesin atë financiarisht. Ne do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e grupeve humanitare që përpiqen të çlirojnë Birmaninë nga vuajtjet. U bëj thirrje Kombeve të Bashkuara dhe të gjitha vendeve të përdorin mjetet diplomatike dhe ekonomike për të ndihmuar popullin e Birmanisë të rifitojë lirinë”.

Presidenti Bush i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të mbështesë udhëheqësit e moderuar në teritoret palestineze dhe demokracitë e reja, siç u shpreh ai, në Liban, Afganistan dhe Irak.

Delegacioni i Kubës u largua nga salla gjatë kritikës së Presidentit Bush ndaj Presidentit Fidel Kastro. Presidenti i Nikaraguas, Daniel Ortega më pas e kritikoi ashpër presidentin Bush për “mungesë respekti” ndaj zotit Kastro dhe vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara janë përpjekur në të kaluarën ta vrasin udhëheqësin kuban. Në fjalimin e tij, Presidenti i Francës Nikola Sarkozi tha se Irani ka të drejtë të ketë energji bëprthamore për qëllime civile, por shtoi se po të lejohet Irani të zotërojë armë bërthamnore, kjo do të paraqiste një “rrezik të paparanueshëm”.

Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki-moon hapi mbledhjen vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke theksuar se bota ka përballë “sfida të mëdha”, përfshirë përhapjen e armëve bërthamore, krizën në Darfur të Sudanit, paqen në Lindjen e Mesme dhe ndryshimet klimatike.

Zoti Ban tha se është i inkurajuar nga përparimi i bërë kohët e fundit për çarmatimin bërthamor të Koresë së Veriut dhe beson se edhe çështja bërthamore e Iranit do të zgjidhet në mënyrë paqësore. "Kam besim se ne do të arrijmë një zgjidhje përmes negociatave me Republikën Islamike të Iranit. Qëllimi ynë final është eliminimi i të gjitha armëve të shkatërrimit në masë. Në qoftë se dështojmë, një ditë këto armë do të na eliminojnë neve”. Tema e debatit në takimin e 62-të vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara është “përgjigja ndaj ndryshimeve klimatike”. Udhëheqës nga 192 vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara do të mbajnë fjalime në Asamblenë e Përgjithshme gjatë sesionit të saj 7-ditor.//rd//

XS
SM
MD
LG