Lidhje

Zinku dhe Sëmundja Lu Ghergi


Në kohë të ndryshme, thuajse çdo njeri preket nga të ftohurit Të rriturit marrin të ftohur mesatarisht 3 herë në vit, ndërsa një fëmijë mund të preket afro 8 herë në vit. Barnat më të përdorëshme që mendohet se mposhtin të ftohurit janë ato me përmbajtje të lartë minerali Zink. Por a ndihmon zinku në largimin e simptomave të kësaj sëmundjeje?

Kohët e fundit, shkencëtarët morrën në shqyrtim të gjitha të dhënat e përdorura nga më shumë se 100 studime të kryera gjatë 20 vjetëve të fundit lidhur me të ftohurit. Mjekët veçuan 14 studimet më të mira që krahasonin trajtimet e të ftohurit me barna që përmbajnë zink.

Shkencëtarët kishin shprehur dyshim rreth metodave të kryerjes së këtyre studimeve dhe si rrjedhim edhe rreth rezultateve që mund të ishin jo të sakta. Nga të gjitha studimet, vetëm në njërin prej tyre tregohej se ilaçi me përmbajtje zinku për zhbllokimin e hundëve kishte efekt pozitiv.

Ndërsa në një tjetër gjetën të dhëna se zinku krijonte edhe efekte anësore. Për shembull ata që përdornin barna me përmbajtje zinku kundër të ftohurit kishin 5 herë më shumë gjasa të prekeshin nga bllokimi i hundëve, në krahasim me personat e tjerë që gjatë studimit iu dha placebo. Shkencëtarët thonë se studime të tjera të një cilësie më të mirë nevojiten për të përcaktuar efektet e zinkut në ilaçet kundër të ftohurit.

Sëmundja ALS, shfaqet me dobësimin e muskujve kur neuronet ndërpresin dërgimin e sinjaleve të sistemit motorik të trurit. Përllogaritet se 2 në 100 mijë veta mund të preken cdo vit nga kjo sëmundje, e cila shfaqet më shpesh tek personat midis moshës 40 e 70 dhe rrallë prek fëmijët. Sëmundja megjithëse neurologjike, ndryshon nga Alcajmeri, pasi nuk prek kujtesën apo inteligjencën e pacientit.

Sëmundja ALS quhet edhe Lou Gherig, për nder të bejsbollistit të njohur amerikan të viteve ’30, Lou Gerig i cili vdiq prej saj. Sëmundja është e rëndë. Ajo prek trurin dhe të shtyllën kurrizore. Njerëzit me ALS hasin probleme me të përtypurit, të ecurit dhe frymëmarrjen. Në shumicën e rasteve njerëzit e prekur nga Lou Gherig vdesin brenda pak vjetëve, por ka edhe raste kur ata jetojnë më gjatë. Shkencëtari Stephen Hawking ka disa dekada që jeton me këtë sëmundje. Shkaqet e sëmundjes Lou Gerigh vazhdojnë të jenë kryesisht të panjohura.

Megjithatë, një studim në shkallë të gjërë mes pacientëve me sëmundjen ALS ose Lou Gerigh, ka nxjerrë në dritë disa shenja të prejardhjes së saj. Duke përdorur teknologjinë më të sofistikuar të kohës, shkencëtarët studjuan kodin gjenetik të pacientëve me Lou Gerig dhe i krahasuan ato me kodin gjenetik të personave të shëndetshëm.

Shkencëtarët arritën të dallonin një gjen i cili shton me 35 përqind rrezikun e prekjes nga sëmundja ALS. Tani për tani funksioni i këtij gjeni është i panjohur, por duket se ai prodhon një proteinë që gjendet në shtyllën kurrizore dhe në qeliza të tjera nervore. Shkencëtarët gjithashtu zbuluan edhe 50 zona të tjera gjenetike që mendohet se nxisin rrezikun e prekjes nga sëmundja ALS ose Lou Gherig.

Shkencëtarët thonë se analizimi i të dhënave gjenetike të përftuara nga ky studim do t’i ndihmojë ata për të gjetur mënyra të reja për trajtimin e sëmundjes. Studimi u krye nga shkencëtarët e shoqatës mjekësore të Nju Englandit në bashkëpunim me Institutin e Kërkimeve Gjenetike në Arizona. //rd//

XS
SM
MD
LG