Lidhje

Ulen pengesat për të kryer biznes në Shqipëri


Banka Botërore thotë se Evropa Lindore dhe ish-Bashkimi Sovjetik e kanë kaluar Azinë Lindore kur është fjala tek lehtësitë për të zhvilluar biznes në këto vende. Sipas një raporti të sapo-publikuar të Bankës Botërore, Kroacia kryeson listën e vendeve reformatore të rajonit për biznesin. Raporti “Si të Bësh Biznes 2008” vlerëson arritjet e Shqipërisë në një numër fushash, siç janë punësimi, regjistrimi i pasurisë, shlyerja e taksave, zbatimi i kontratave dhe zhvillimi i tregtisë me vende të tjera.

Egjipti ishte reformatori kryesor për biznesin gjatë vitit 2006-2007, thekson Banka Botërore në raportin e saj “Si të Bësh Biznes 2008”. Në vend të dytë vjen Kroacia e cila ka bërë përpjekjet më të suksesshme ndër vendet e Evropës Lindore për të thjeshtësuar mjedisin e biznesit. Melissa Johns, bashkautore e raportit të pestë vjetor të Bankës “Të bësh biznes” thotë se lehtësimi i pengesave për zhvillimin e biznesit sjell një varg përfitimesh: "Në vështrimin e përgjithshëm arritëm në përfundimin se vendet që janë më të suksesshme përjetojnë fitime më të larta nga investimet aksionare dhe kanë ritme më të ulta papunësie. Po ashtu ata tërheqin më mirë investitorët".

Kroacia, por edhe Maqedonia, Bullgaria dhe Gjeorgjia renditen ndër 10 vendet kryesore reformatore në botë. Shqipëria renditet në vend të 101 ndër 178 vende të analizuara. Kjo renditje pasqyron rënie të lehtë krahasuar me vende të tjera kryesisht për shkak të faktorëve të tillë si hapja e një biznesi, nxjerrja e lejeve dhe mbrojtjes së investitorëve.

Megjithatë, raporti vlerëson arritjet e Shqipërisë në një numër fushash, siç janë punësimi, regjistrimi i pasurisë, shlyerja e taksave, zbatimi i kontratave dhe zhvillimi i tregtisë me vende të tjera. Në veçanti raporti nënvizon reformat e Shqipërisë për të lehtësuar barrën doganore duke ndryshuar normat e amortizimit dhe duke zvogëluar taksën e punës dhe kontributet.

Zonja Johns vë në dukje se ulja e pengesave për biznesin nxit angazhimin në sipërmarrje private: "Vendet që po zbatojnë reforma kanë më shumë biznese të reja. Tani Gjeorgjia ka të njëjtin numër biznesesh për çdo 100 vetë sa edhe Malajzia. E shohim këtë prirje edhe në vende të Evropës Lindore, si Sllovakia dhe Serbia të cilat kanë përjetuar një shtim të ndjeshëm në numrin e bizneseve të reja. Tani është më e thjeshtë të bësh biznes në disa vende të Evropës Lindore se në disa vende të Evropës Perëndimore", thotë zonja Johns.

Raporti “Të Bësh Biznes 2008” krahasoi 178 vende lidhur me lehtësinë e zhvillimit të biznesit. Për të dytin vit radhazi, Singapori është në krye të listës globale, pasuar nga Zelanda e Re dhe Shtetet e Bashkuara. //rd//

XS
SM
MD
LG