Lidhje

Ren: Zgjidhja e statusit të Kosovës kërkon nisma konkrete dhe dëshirën për kompromis


Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Oli Ren, tha se e ardhmja e Kosovës është e lidhur me atë të Serbisë. Gjatë një vizite në Uashington, zyrtari i lartë i BE-së u bëri thirrje të dy palëve t’u japin fund shtyrjeve për një marrëveshje përfundimtare mbi statusin e Kosovës dhe të ecin përpara për një të ardhme më të mirë.

Deri tani, muaj të tërë bisedimesh nuk kanë mundur të afrojnë Prishtinën që këmbëngul për pavarësi dhe Beogradin, që dëshiron ta mbajë Kosovën si pjesë zyrtare të Serbisë. Raundi i tanishëm i bisedimeve mbi të ardhmen e statusit të Kosovës përfundon më 10 dhjetor. Ndërkohë, Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Oli Ren i tha Zërit të Amerikës se Kosova dhe Serbia do të jenë të lidhura në të ardhmen.

“Nëse parashikojmë të ardhmen, le të themi pas 5-10-15 vjetësh mund të thuhet se të dyja, Kosova dhe Serbia, pavarësisht se cili do të jetë statusi i saktë për Kosovën, do të jenë pjesë të Bashkimit Evropian, ashtu si vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Kështu që në një perspektivë më të largët, mund të shihet se Serbia dhe Kosova janë shumë të varura nga njera-tjetra dhe të dyja do të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, pasi të kenë plotësuar kërkesat e anëtarësimit”.

Por 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk janë të bashkuara për mënyrën se si duhet të veprojnë lidhur me çështjen e pavarësinë së Kosovës, në qoftë se ajo arrihet pa një miratim zyrtar të OKB-së.

Shtetet e Bashkuara mbështesin pavarësinë e Kosovës, ndërsa Rusia kërcënon t’i verë veton çdo rezolute të Këshillit të Sigurimit, që nuk pranohet nga Beogradi.

Komisioneri Ren tha se Bashkimi Evropian preferon një zgjidhje nëpërmjet negociatave dhe jo veprime të njëanshmme.

“Ne do të përpiqemi seriozisht për një zgjidhje të negociuar, do të bëjmë çdo përpjekje, por natyrisht që ne presim që Beogradi dhe Prishtina të mbajnë një qëndrim konstruktiv. Një zgjidhje e arritur me negociata, në qoftë se mund të gjendej, sigurisht që do të ishte më e mirë për të gjithë”.

Por çfarë do të ndodhë në qoftë se Prishtina dhe Beogradi përsëri nuk arrijnë një marrëveshje?

“Nuk dua të spekulloj, por në çdo rast, duhet të jetë e qartë për këdo se zgjatja e kësaj agonie nuk do të ndihmojë asnjeri në rajon, Evropë, apo edhe në botë. Zgjatja e kësaj agonie vetëm do të shtonte rrezikun për paqëndrueshmëri në Kosovë, do të zgjaste rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe do të dëmtonte perspektivat e vendeve të Ballkanit Perëndimor për marrëdhënie më të ngushta me Bashkimin Evropian. Kjo nuk do të ishte në interesin e askujt”.

Tre ndërmjetësit ndërkombëtarë vunë në dukje se ekziston ‘një frymë pozitive’ midis negociatorëve serbë dhe shqiptarë. Por zoti Ren thotë se një zgjidhje e qartë kërkon propozime konkrete dhe dëshirën për kompromis.

“Ne kemi nevojë për më tepër se frymën pozitive. Duhen nisma konkrete dhe kjo është përgjegjësi e Beogradit dhe Prishtinës”, - tha zoti Ren.

Grupi i Kontaktit për Kosovën u takua dje në New York, për të vlerësuar përparimin drejt një zgjidhjeje përfundimtare të statusit të Kosovës. Zoti Ren i bëri thirrje Rusisë të jetë pjesë e zgjidhjes.

“Ne kemi nevojë që të gjithë partnerët në komunitetin ndërkombëtar të kontribojnë në zgjidhjen e statusit të Kosovës, duke përfshirë, natyrisht edhe Federatën Ruse, e cila thotë se mbështet një zgjidhje shumëpalëshe. Edhe ne jemi në favor të një bashkëpunimi shumëpalësh, të efektshëm e të përgjegjshëm dhe ne presim që të gjithë partnerët të praktikojnë ato që predikojnë dhe të mos kërcënojnë përdorimin e njëanshëm të vetos”, - tha Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Oli Ren. //lk

XS
SM
MD
LG