Lidhje

Çeku: Do të marrim përgjegjësinë të shpallim pavarësinë e Kosovës, në se nuk arrihet rezultat në Këshillin e Sigurimit


Udhëheqësit e lartë të Serbisë e Kosovës zhvilluan sot në Nju Jork takimin e tyre të parë të drejtëpërdrejtë mbi të ardhmen e Kosovës dhe ranë dakord të takohen përsëri muajin e ardhshëm. Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian, Volfgang Ishinger, u tha gazetarëve në Nju Jork se takimi i ardhshëm do të mbahet në Bruksel më 14 tetor. Ministrat e jashtëm të vendeve të Grupit të Kontaktit, të cilët mbikqyrin gjendjen në Kosovë, u bënë dje thirrje delegacionit të Prishtinës e atij të Beogradit që të përpiqen të arrijnë një marrëveshje.

Për të marrë reagime nga takimi i sotëm, i pari i drejtpërdrejtë midis Prishtinës dhe Beogradit në negociatat shtesë Zëri i Amerikës i mori këtë intervistë, kryeministrit të Kosovës, zotit Agim Çeku.

Zëri i Amerikës: Zoti Çeku si u zhvillua takimi, A doli ndonjë propozim i ri nga palët? Siç e dëgjuam pala serbe ofroi sot në takim propozimin e saj për autonomi, por pa sovranitet.? Çfarë ofruat ju?

Agim Çeku: Ne i bëmë shumë të qarta edhe një herë vijat e kuqe se nuk dëshirojmë të bisedojmë për status, pavarësia është e panegociueshme. Thamë se ky proces duhet të përfundojë pasi ai nuk është i pakufikuar por shumë i kufizuar. Ne i hodhëm poshtë të gjitha idetë e mundshme, përfshi autonominë substenciale, për konfederatë etj., Ne u fokusuam dhe ofruam një traktat të bashkëpunimit, folëm nga pozicioni i pavarësisë që është i kryer duke iu referuar raporteve tona të ardhshme si dy vende të pavarura fqinje që kanë marrëdhënie pune dhe që kontribuojnë drejtëpërdrejtë në stabilitet të rajonit.

Zëri i Amerikës: Zoti Çeku a vu re ndonjë ndryshim qëndrimi, qoftë nga pala juaj ose nga pala serbe gjatë takimit të sotëm?

Agim Çeku: Jo. Ata ende insistuan që të ruhet sovraniteti apo integriteti territorial i Serbisë. Ne absolutisht e kundështojmë një gjë të tillë duke argumentuar se pavarësia është çështje e kryer dhe as që dëshirojmë të bisedojmë për status. Ne dëshirojmë të bisedojmë për çështje të pas-statusit. Por takimi kaloi në një atmosferë pune do të thoja, kishte një nivel përfaqësimi të lartë kështu që nuk pati thyerje apo ndërhyrje.

Zëri i Amerikës: Pra është e saktë të thuhet se palët nuk lëvizën nga qëndrimet e tyre të njohura, zoti Çeku.

Agim Çeku: Po është e saktë. Palët i bënë të qarta qëndrimet e tyre. Treshja ndërkombëtare na informojë që takimi i radhës do të jetë më 14 tetor në Bruksel do të vazhdojmë bisedimet.

Zëri i Amerikës: A do të jetë ky takim përsëri i drejtëpërdrejtë me palën serbe?

Agim Çeku: Do të jetë i drejtëpërdrejtë me ndërmjetësinë e treshes sigurisht. Pra u tha që ky proces dhe u bë shumë e qartë që ky proces duhet të përfundojë më 10 dhjetor. Këtë edhe treshja ia komunikojë edhe palës serbe që më 10 dhjetor përfundon edhe vetë mandati i tyre dhe përfundon edhe kjo periudhë e angazhimit.

Zëri i Amerikës: Megjithatë zoti Çeku udhëheqësve të Kosovës po u bëhet thirrje të mos veprojnë në mënyrë të njëanshme. si e shihni ju rrugën drejt zgjidhjes së statusit?

Agim Çeku: Ne e shfrytëzuam edhe këtë takim për tu bërë thirrje autoriteteve të Beogradit që të mos i pengojnë serbët e Kosovës të votojnë në se e keni fjalën për këtë. Ata nuk u prenoncuan rreth kësaj. Por ne e mirëpritëm edhe njëherë deklaratën e grupit të kontaktit që edhe njëherë afirmoi parimet e planit Ahtisari si kornizë për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Grupi i Kontaktit edhe njëherë ka thënë që statusi duhet të zgjidhet brenda këtij afati kohor, nuk ka më shtyrje të statusit. Dhe ne gjithsesi jemi të përkushtuar që çështja e statusit të zgjidhet menjëherë pas 10 dhjetorit. Preferojmë rrugën përmes Këshillit të Sigurimit por në se nuk ka rezultat në Këshillin e Sigurimit ne do të marrim përgjegjësinë dhe do të shpallim pavarësinë.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, zoti Çeku ka që tani zëra për shtyrje të mëtejshme pas 10 dhjetorit? A ekziston një mundësi e tillë për mendimin tuaj?

Agim Çeku: Po dikush mund të këshillojë shtyrje por pa ne. Ne jemi shumë të vendosur as shtyrje as një zvarritje tjetër. Ne kërkojmë zgjidhje të menjëhershme. Preferojmë siç e thashë, Këshillin e Sigurimit, por jemi të gatshëm që të marrim hapin e duhur vetvetiu dhe të kërkojmë njohjen e pavarësisë së Kosovës. //rd//

XS
SM
MD
LG