Lidhje

Nju Jork: Prishtina dhe Beogradi rikonfirmojnë qendrimet


Negociatorët e Prishtinës dhe të Beogradit përsëritën mbrëmë në Nju Jork qendrimet e tyre të pandryshuara për çështjen e statusit të Kosovës. Pas bisedimeve të para të drejtpërdrejta mes palëve, negociatorët shqiptarë thanë se do të vazhdojnë të kërkojnë përfundimin e procesit të statusit më 10 dhjetor, me raportin që Treshja diplomatike ndërkombëtare do t’i paraqesë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Ndërsa pala serbe theksoi se bisedimet duhet të vazhdojnë deri sa të arrihet një kompromis.

Rezultati i vetëm konkret i takimit të parë të drejtpërdrejtë mes palëve, i arritur në praninë e ndërmjetësve ndërkombëtarë, ishte një marrëveshje për t’u takuar përsëri në Bruksel, më 14 tetor. Sipas një deklarate të përbashkët, të quajtur “Deklarata e Nju Jorkut”, të dyja palët lanë të kuptohej se duan që procesi të vazhdojë.

Por Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha mbrëmë se 10 dhjetori duhet të jetë afati i fundit kur duhet të merret vendimi përfundimtar: “Do të kemi insistimin tonë që ky proces të kryhet sa më shpejt me atë që kemi thënë, se data 10 dhjetor të jetë datë e përfundimit të raportit nga ana e treshes ndërkombëtare për Sekretarin e Përgjithshëm dhe të përmbyllet një proces që nuk është i shkurtër por është një proces i gjatë prej gati dy vjetësh me Presidentin Ahtisari.”

Negociatorët ndërkombëtarë, të cilët mbrëmë patën takime të tjera me secilën palë veç e veç, shprehën optimizëm duke thënë se si Prishtina dhe Beogradi duken të vendosur për ta çuar procesin me sukses deri në fund. Por është e paqartë se çfarë nënkuptonin ata me fjalën sukses kur qendrimet e të dyja palëve mbeten diametralisht të kundërta.

Beogradi vazhdon të ngulë këmbë në idenë e autonomisë së gjerë për Kosovën dhe e quan këtë një kompromis që po bën Serbia.

Ministri i jashtëm Vuk Jeremiç tha se bisedimet duhet të vazhdojnë aq gjatë sa të jetë e nevojshme deri sa të arrihet kompromisi duke nënkuptuar autonominë e gjerë minus sovranitetin. "Për herë të parë që nga fillimi i procesit ne dhamë një farë nocioni të propozimit për autonomi të gjerë. Në Bruksel ne shpresojmë të jemi në gjendje t’u përgjigjemi të gjitha pyetjeve që mund të ketë pala shqiptare lidhur me atë se si e shikojmë ne këtë autonomi të gjerë për Kosovën," tha ministri i jashtëm i Serbisë Vuk Jeremiç.

Por Hashim Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike të opozitës dhe anëtar i Grupit Negociator, tha se kompromisi mes Kosovës dhe Serbisë është i pamundur sepse për shqiptarët ka vetëm një zgjidhje dhe kjo është pavarësia. “Kosova rikonfirmoi qendrimin e vet se vetëm një zgjidhje është e mundëshme, respektimi i vullnetit të qytetarëve të Kosovës, për Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran me mbikqyrje civile ndërkombëtare dhe me prezencë të NATO-s. Kompromisi për statusin politik mes Kosovës dhe Serbisë është i pamundur por ne si fqinjë mund të jetojmë mirë në kuptimin e bashkëpunimit bilateral për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe integrimet në strukturat euroatlantike.”

Shqiptarët kanë paralajmëruar se mund të shpallin në mënyrë të njëanëshme pavarësinë në fund të këtij viti nëse bisedimet dështojnë. Ndërsa Beogradi thotë se kjo mund të çojë në një destabiulizim të ri të Ballkanit. //ii

XS
SM
MD
LG