Lidhje

Një dokumentar i ri sjell historinë e 10 astronautëve të Apollos


Një film i ri dokumentar sjell historinë e 10 astronautëve që ende jetojnë, të anijeve të hapësirës Apollo të cilët morën pjesë në zbritjet e njeriut në hënë. Filmi i njeh shikuesit me ndjenjat dhe kujtimet e tyre të paharrueshme nga misionet në hënë. Pjesa më e madhe e pamjeve të dokumentarit të tij shfaqen për herë të parë.

Tre miliardë njerëz ndoqën pamjet e anijes Apollo 11, në misionin e parë me njerëz në hënë, duke u nisur drejt hapësirës në vitin 1968. Në dokumentarin e tij të ri me titull, In the Shadow of the Moon, Në Hijen e Hënës, regjizori David Sington fikson përsëri atë moment. Po ashtu ai u rikthehet edhe misioneve të tjera të anijes Apollo.

“Ne, qeniet njerëzore, jemi krijesat e ndërgjegjshme të këtij planeti, që e kuptojmë gjendjen tonë. Por nuk mendoj se ky kuptim ishte i plotë, derisa 24 anëtarët e misioneve të anijes Apollo e panë Tokën për herë të parë nga hapësira”.

Disa dekada më vonë, 10 prej këtyre astronautëve përshkruajnë përvojën e tyre në hënë.

“Pas dritës e gjetëm veten në errësirë. Ishim në hijen e hënës”, thotë një prej tyre.

“Mu duk sikur qëndronim në kopshtin e Zotit”, thotë një tjetër në dokumentar.

“Thashë me vete: Sa e brishtë është Toka. Toka, kjo mrekulli, qëndronte atje mes errësirës së gjithësisë”.

Regjizori Sington thotë se pjesa më e madhe e pamjeve të dokumentarit të tij shikohen për herë të parë.

“NASA e ka mbajtur pjesën më të madhe të pamjeve në mjedise të ftohta, në nitrogjen të lëngët, për t’i ruajtur ato. Ne e dinim nga bisedat me njerëz të NASA-s se kjo agjenci po përgatitej t’i nxirrte këto pamje nga arkivi dhe t’i transferonte në një format të ri video të cilësisë së lartë. Kjo video na erdhi në dorë, pra ne ishim të parët që i shfrytëzuam pamjet.”

Kujtimet personale të astronautëve i pasurojnë më tej pamjet e mahnitshme. Ata përshkruajnë ditët e para të stërvitjes, ngazëllimin e tyre, ndjenjat e përgjegjësisë e të pasigurisë. Dhe pastaj ata përjetuan kthimin në tokë, dhe pritjen si heronj.

“Kudo që shkuam, në vend që të na thoshin, ju amerikanët ia arritët këtij qëllimi, përkundrazi ne dëgjuam fjalë si, ‘ne ia arritëm qëllimit, ne njerzimi, ne njerëzit e bëmë këtë’. Nga evropianët, tek aziatikët e afrikanët, kudo që shkonim dëgjuam të thoshin më në fund ne ia arritëm. Gjithnjë kam menduar se ishte diçka e mrekullueshme. Një përvojë jetëshkurtër, por e mrekullueshme”.

Dhe dokumentari “Nën Hijen e Hënës” ringjall përsëri këtë ndjenjë dhe ripërtërin këtë krenari.//kk//

XS
SM
MD
LG