Lidhje

Uizner: Nuk mjafton koha që statusi i Kosovës të zgjidhet brenda vitit


Pak përparim është njoftuar në bisedimet e drejtuara nga Rusia, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara, bisedime që synojnë të pajtojnë pikpamjet e kundërta të Beogradit dhe Prishtinës lidhur me të ardhmen e Kosovës. Sekretari i Përgjithshëçm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun bëri thirrje që të shmangen vonesat e tjera në përcaktimin e së ardhmes së Kosovës. Zoti Ban tha në një raport dje se nëse nuk ruhet ritmi i tanishëm drejt një zgjidhjeje, rajoni do të përballet me paqendrueshmëri të re. Ndërkohë, përfaqësuesi amerikan në Treshen diplomatike, Frank Uizner, përjashton çdo mundësi të ndarjes së Kosovës si zgjidhje për statusin e saj.

Frank Uizner, diplomati amerikan në pension i cili përfaqëson Uashingtonin në Treshen diplomatike, thotë se nuk ka të ngjarë që çështja e Kosovës të zgjidhet këtë vit. Thjesht nuk mjafton koha, i tha ai Zërit të Amerikës. "Praktikisht, ne shpresojmë ta kemi gati raportin tonë për Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së deri më 10 dhjetor. Pastaj ai do ta diskutojë çështjen me vendet e Grupit të Kontaktit, Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Rusinë, Italinë, Francën dhe Gjermaninë. Nuk do ta përjashtoja mundësinë që të ketë edhe diskutime në Këshillin e Sigurimit. Pra, thjesht kalendari duhet të jetë tepër i ngarkuar për të patur një përfundim brenda vitit 2007," thotë zoti Uizner.

Negociatat e drejtuara nga Treshja ndërkombëtare nisën në muajin gusht kur Rusia kërcënoi se do t’i vinte veton planit Ahtisari të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian që parashikon pavarësi të kushtëzuar për Kosovën. Moska i propozoi bisedimet e tanishme si një përpjekje të fundit për të ngushtuar hendekun e gjerë që ekziston mes Serbisë dhe shumicës shqiptare që përbën 90 përqind të popullsisë së Kosovës. Serbia thotë se do të pranojë jo më shumë se një autonomi të gjerë për Kosovën, e cila kërkon pavarësi.

Javën e kaluar në Nju Jork, Treshja organizoi takimin e parë të drejtpërdrejtë mes udhëheqësve të Beogradit dhe Prishtinës. Një takim tketër i ngjashëm do të zhvillohet në Bruksel më 14 tetor. Zoti Uizner thotë se ndonëse udhëheqësit e të dyja palëve nuk kanë paraqitur ende propozime të reja konstuktive, ata janë dakord me idenë se ndarja e Kosovës nuk është zgjidhje. "Ndarja e Kosovës nuk është shtruar në tryezë përsa u përket kosovarëve, as përsa u përket serbëve dhe po kështu edhe përsa i përket Treshes ndërkombëtare. Kjo është një çështje e përjashtuar, është kundër parimeve të Grupit të Kontaktit. Ajo nuk do të bënte gjë tjetër veçse do të krijonte trazira në rajon. Kështuqë kjo është jashtë caqeve të mundëshme."

Por Charles Kupchan, specialist për Europën pranë Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë, thotë se cilado qoftë zgjidhja për Kosovën, ka shumë mundësi që ajo ta destabilizojë Ballkanin. Zoti Kupchan jep dy arësye se përse shkëputja e veriut, me popullsi kryesisht serbe, nuk duhet përjashtuar krejtësisht. "Njëra arësye është se ideja e ndarjes mund ta bëjë Beogradin ta pranojë pavarësinë me kusht që Kosova veriore të bëhet pjesë e Serbisë. Dhe, nëse Beogradi pranon, atëhere edhe Rusia pranon dhe i tërë problemi zgjidhet. Arësyeja e dytë është se nëse veriu mbetet pjesë e Kosovës, kjo do të ishte në disavantazh të saj pasi në këtë mënyrë një pjesë e mirë e territorit të saj nuk do të dëshironte të ishte pjesë e shtetit të ri," thotë zoti Kupchan.

Shumica e analistëve mendojnë se negociatat e drejtuara nga Treshja ndërkombëtare do të dështojnë. Nëse kjo ndodh, shqiptarët e Kosovës kanë thënë se do ta shpallin vetë pavarësinë. Uashingtoni, i cili është për një Kosovë të pavarur, ka lënë të kuptohet se do ta njihte shtetin e ri. Bashkimi Europian është i ndarë por shumica e vendeve të tij janë gjithashtu për pavarësinë. Zoti Kupchan i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë, thotë se Europa, duke përfshirë Gjermaninë, në fund të fundit do të ndjekë shembullin amerikan. //ii

XS
SM
MD
LG