Media shtetrore e Birmanisë thotë se sunduesi ushtarak i vendit është i gatshëm të takohet me udhëheqësen për demokraci, Aung San Su Çi, ndërkohë që vazhdon fushata shtypëse kundër veprimtarëve të demokracisë.
Media shtetrore njoftoi sot se gjenerali Than Shwe i tha këtë javë të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Ibrahim Gambari, se është gati të takohet drejtëpërdrejtë me udhëheqësen e opozitës, nëse ajo heq dorë nga mbështetja për konfrontimin dhe sanksione kundër qeverisë.
I dërguari Gambari, i cili u takua me të dyja këto figura gjatë vizitës së tij në Birmani, do t’i paraqesë sot një raport Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon mbi shtypjen e përgjakshme të protestave pro-demokracisë javën e kaluar.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban tha dje se i dërguari Gambari u përcolli një mesazh të fuqishëm gjeneralëve në pushtet. Por sekretari i përgjithshëm tha se nuk mund ta cilësonte udhëtimin e tij të suksesshëm.
Dëshmitarët thanë se dhjetra njerëz u arrestuan gjatë natës në qytetin e Rangunit. Media shtetrore njoftoi se mbi 2 mijë arrestime u bënë gjatë javës së kaluar.
Këshilli i Sigurimit pritet të takohet nesër për të diskutuar mbi situatën në Birmani. //iç//