Lidhje

Ndikimet e njoftimit të Vladimir Putinit për të kandiduar si kryeministër në 2008-ën


Presidenti rus Vladimir Putin, mandati i të cilit mbaron në muajin mars, thotë se do të luajë një rol kryesor në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në dhjetor të këtij viti. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Andre Nesnera u hedh një vështrim ndikimeve që mund të ketë njoftimi i bërë nga zoti Putin.

Presidenti Putin tha në një takim të partisë Rusia e Bashkuar, e cila është pro Kremlinit, se ai do të kryesojë listën e përfaqësuesve të kësaj partie në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit. Ai la të kuptohet se mund të pranojë postin e kryeministrit, duke thënë se një skenar i tillë është plotësisht realist.

Analistët thonë se kjo është shenja më e qartë deri tani që tregon se çfarë roli politik do të dëshironte të kishte zoti Putin pasi t’i ketë mbaruar mandati presidencial në muajin mars, sepse Kushtetuta e Rusisë nuk e lejon të kandidojë për një mandat të tretë presidencial radhazi.

Presidenti rus ka theksuar vazhdimisht se nuk ka plane për ta ndryshuar kushtetutën që kjo ta lejonte të zgjidhej për një mandat të tretë. Dale Herspring, eksperte e Rusisë në Universitetin shtetëror të Kansasit, thotë se zoti Putin është një njeri me një mision. "Mendoj se ai ka krijuar bindjen se askush tjetër nuk është në gjendje ta mbajë Rusinë të bashkuar deri sa ajo të krijojë një sistem të rëndësishëm, të institucionalizuar dhe të qendrueshëm. Prandaj mendoj se ai ka vendosur të kandidojë për parlamentin sepse sipas tij, ka ardhur koha për ta bërë parlamentin një institucion të rëndësishëm dhe pikërisht kjo është një nga mënyrat për ta arritur këtë".

Herspring thotë se zoti Putin kërkon të garanton që Rusia të jetë një vend i shëndoshë politikisht dhe ekonomikisht dhe jo të kthehet në paqendrueshmërinë e viteve të Boris Jelsinit. "Kur erdhi në pushtet, ai në thelb kishte këtë mendim për Jelsinin: që ai bëri punë të mirë me revolucionin por vendi ishte në anarki dhe sistemi duhej futur në rrugën e stabilizimit. Pikërisht këtë ka bërë ai që nga ajo kohë. Sot Rusia është shumë më e qendrueshme se sa në vitin 2000. Por mendoj se në kokën e tij ka ndoshta një pyetje që kërkon përgjigje, se, kur ai të ketë ikur nga jeta politike, rusët do të zhyten përsëri në anarki e cila nuk dihet se ku do t’i çojë."

Megjithatë, analistët thonë se vendosja e qendrueshmërisë në Rusi ka patur koston e saj. Gjatë këtyre viteve, thonë ata, zoti Putin ka përqendruar pushtetin te presidenca, ka dobësuar fuqinë e partrive politike të pavarura dhe ka vendour kontrollin mbi median. Ai ka shtrënguar gjithashtu ligjet elektorale në favor të partive proqeveritare në prag të zgjedhjeve parlamantare të dhjetorit dhe atyre presidenciale të vitit 2008.

Marshall Goldman, ekspert për Rusinë në Universitetin Harvard thotë se zoti Putin është vetëm 54 vjeç dhe ende mund të luajë një rol të rëndësishëm politik. "Ai është tepër i ri për të dalë në pension dhe natyrisht që është tepër popullor në Rusi pasi solli aty ligjin dhe rendin." Analistët thonë se ka shumë mundësi që zoti Putin të bëhet kryeministër pasi partia Rusia e Bashkuar është entiteti më i fortë në parlamentin rus. Gjithashtu, thonë ata, duke patur në krye të listës së kandidatëve presidentin rus, kjo parti ka të ngjarë të marrë më shumë vende në parlament në zgjedhjet e 2 dhjetorit.

Andrew Kuchins, ekspert për Rusinë në Qendrën për Studime Stretegjike dhe Ndërmbëtare në Uashington, thotë se nëse zoti Putin bëhet kryeministër, kjo do ta ndryshonte peisazhin politik të Rusisë. "Kjo me siguri që do ta zhvendoste baraspeshën e fuqisë nga presidenti te kryeministri. Kushtetuta e tanishme e Rusisë e miratuar në vitin 1993, ende lejon një sistem të fortë presidencial. Prandaj, ka mundësi që pas zgjedhjeve parlamentare, mund të miratohet ndonjë ligj i ri i cili de jure t’i japë më tepër autoritet politik qeverisë në personin e kryeministrit, i cili do të emërohej ndoshta drejtpërsëdrejti nga partia e shumicës." Nëse kjo ndodh, thonë ekspertët, Rusia do të përngjante më tepër sistemit parlamentar të Gjermanisë, e cila ka një kryeministër të fortë dhe një president me kompetenca formale.

Analistët thonë gjithashtu se zoti Putin mund të verë përsëri kandidaturën për president pasi të ketë mbaruar mandatin e kryeministrit. Kjo do ta zhvendoste përsëri balancën e pushtetit në Rusi, kësaj here nga qeveria tek presidenti. //rd//

XS
SM
MD
LG