Lidhje

Ndikimet kulturore ndryshojnë fizionominë e katolicizmit në SHBA


Shtetet e Bashkuara kanë qenë gjithmonë vend kryesisht protestant. Por me fluksin e vazhdueshëm të imigrantëve, veçanërisht nga Amerika Latine katolike, numri i amerikanëve që deklarohen si katolikë është rritur. Ndikimet kulturore po ndryshojnë gjithashtu praktikën e fesë.

Kur kolonitë amerikane shpallën pavarësinë nga Britania në fund të shekullit të 18-të, katolikët ishin pakicë mes imigrantëve nga Europa, që nuk përbënin as një përqind të popullsisë. Shumë analistë thonë se shumica protestante amerikane i shihte katolikët si kërcënim të mundshëm, dhe shpesh i përjashtonte ata nga jeta publike. Vetëm pasi John Kennedy u bë si presidenti i parë katolik i vendit në vitin 1960 katolicimi amerikan mund të thuhet se arriti pjekurinë e tij.

Luis Lugo, drejtor i forumit Pew për fenë dhe jetën publike, thotë se sot katolicizmi është grupi më i madh fetar i krishterë në Amerikë me 25 përqind.

“Kjo ka qenë histori interesante. Të vish nga një pakicë e persekutuar, dhe kur them e persekutuar e kam fjalën të jesh objekt dhune e jo thjesht diskriminimi, kur në zgjedhjet e vitit 1960 kishte një shqetësim të dukshëm nëse një katolik mund të bëhej president i Shteteve të Bashkuara, e deri tani ku anketat tregojnë se amerikanët kanë simpati ndaj komunitetit katolik, dhe kur, në fakt, të jesh katolik i ekuilibruar është diçka pozitive.”

Analistët thonë se katolicizmi është bërë grupi kryesor i krishterë pjesërisht për shkak të imigrimit nga vendet e Amerikës Latine, dhe kohët e fundit nga Filipinet.

Ndikimet kulturore po e ndryshojnë katolicizmin amerikan, thotë Gaston Espinosa, profesor i studimeve fetare në kolegjin Claremont-Mckenna të Kalifornisë.

“Shumica e hispanikëve janë fetarë. Ata i festojnë shumë praktikat fetare. Ata kanë prirjen t’i shprehin bindjet e tyre në mënyrë më publike. Ata janë mësuar ta bëjnë këtë në Amerikën Latine. Atje, ata zhvillojnë shumë festime ku e nxjerrin Shën Marinë nëpër rrugët e qytetit, dhe vendosin altare të vogla anës rrugëve. Tani kam filluar të shoh gjithnjë e më shumë altare të vogla në qendra urbane dhe komunitete rurale edhe në Amerikë ku hispanikët përbëjnë një pjesë të madhe të popullsisë.”

Sipas forumit Pew për fenë dhe jetën publike, rreth 68 përqind e hispanikëve e qujnë veten katolikë. Më shumë se gjysma e tyre e përshkruajnë veten si të krishterë karizmatikë, të cilët identifikohen me përtëritjen, ose krishtërimin që të mbush shpirtin, i cili përfshin besimin tek shërimi hyjnor. Për më tepër, studimet tregojnë se gjatë 25 vjetëve të fundit, rreth 13 dhe 20 përqind e hispanikëve katolikë janë kovertuar në protestantë karizmatikë dhe në besimin e kishave Pentakostale si dhe fe të tjera.

Sociologu Joseph Varacalli, drejtor i qendrës për studime katolike në kolegjin Nassau të Universitetin shtetëror të Nju Jorkut, thotë se kisha katolike është humbësja më e madhe për shkak të këtyre konvertimeve.

“Shumë nga imigrantët e rinj janë zhgënjyer nga katolicizmi amerikan i cili nuk respekton stilin e tyre emocional të fesë. Dhe shumë njerëz të klasave të pasura po u përshtaten vlerave të një bote më moderne dhe laike, dhe prandaj po largohen. Nga ana tjetër, disa të tjerë po kthehen nga disa grupe protestante më koservatore dhe fe të tjera, të cilat u japin atyre sensin e qartësisë që kisha katolike nuk ua jep më. Prandaj ka konvertime në të dy anët.”

Pavarësisht nga largimet dhe disa skandale abuzimesh seksuale që tronditën kishën katolike gjatë viteve të fundit, shumë analistë presin që katolicizmi të vazhdojë të rritet, dhe hispanikët do të përbëjnë më shumë se gjysmën e katolikëve amerikanë në vitin 2050.

Më shumë se 200 vjet pas krijimit të vendit, shumica e ekspertëve thonë se katolicizmi amerikan vazhdon të zhvillohet dhe të përpiqet të mbijetojë tani në një botë më pluraliste dhe laike. //kk//

XS
SM
MD
LG