Lidhje

“Nën një qiell jeshil: Ngrohja globale, zhdukja masive e së shkuarës dhe çka na thotë ajo për të ardhmen”.


Imagjinoni: “Vija bregdetare të mbuluara me mbetje organike. Nga bregu deri tej në horizont, aq sa arrin të shohë syri, duket një ngjyrë e purpurt dhe e pafundme, nga nafta që noton mbi ujë. Ne jemi nën një qiell jeshil, nën të cilin ndjejmë aromën e vdekjes dhe helmit”. Një ditë jo e mirë për Tokën. Kjo është një pjesë nga libri “Nën një qiell jeshil: Ngrohja globale, zhdukja masive e së shkuarës dhe çka na thotë ajo për të ardhmen”.

Peter Ward ka shpenzuar gjithë karrierën e tij duke studiuar fosilet. Ai është specializuar në studimin e katastrofave masive që kanë përfshirë tokën në kohët e lashta.

Ward - paleontolog i Universitetit të Uashingtonit, jep hollësi për shkaqet dhe pasojat e këtyre katastrofave në librin “Nën qiellin jeshil”. Ai thotë se shumica e shkencëtarëve mbështesin idenë se një asteroid gjigand ka goditur tokën rreth 65 milion vjet më parë, duke sjellë zhdukjen e dinosaurëve.

“Gjithçka u shndërrua në pluhur. Toka u mbulua nga një errësirë e plotë. Meteorët që binin nga lart i ndezën pyjet në flakë. Squfuri që u ngjit në atmosferë, u kthye në tokë në trajtën e acidit sulfurik, duke mbuluar oqeanet, e duke rënë në trajtën e shiut acid nëpër liqene”.

Por asteroidët nuk shpjegojnë katastrofat e tjera masive . Për këtë, Ward thotë se janë gjetur prova në mbetjet e fosileve sipas të cilave aktiviteti i vullkaneve ka shpërndarë në atmosferë një sasi shumë të madhe dioksidi karboni dhe gaze të tjera.

Për mijëra vjet përqëndrimi i dioksidit të karbonit në atmosferë dhe ngrohja globale që shkaktoi kjo patën katastrofike. Erërat u shuan, oqeanet thuajse u thanë dhe shumë gjallesa detare u zhdukën nga nxehtësia tepër e madhe dhe nga mungesa e oksigjenit.

Studimet tregojnë se ndryshimet eklogjike nisën të përshpejtohen kur dioksidi i karbonit në atmosferë u shtua. Sot nivelet janë në ngritje.

"Provat e së kaluarës tregojnë se ne po shkrijmë masat e akullta. Shkrirja e të gjitha masave të akullta do shkaktojë ngritje e nivelit të oqeaneve në 75 metra. Dhe ngritja e nivelit të detit në 75 metra do të thotë zhvendosjen e çdo qyteti port në botë".

Rritja e dioksidit të karbonit në atmosferë, ngroh oqeanet dhe sjell lulëzimin e një lloj bakterjeje që prodhon sulfid hidrogjeni, i cili helmon ujin dhe ajrin. Megjithatë Ward sheh disa sinjale pozitive në luftën kundër ngrohjes globale.

Shumë njerëz janë edukuar tashmë dhe çka është më e rëndësishme thuajse të gjithë e dinë se ngrohja globale ka të bëjë me dioksidin e karbonit dhe ne duhet të ulim nivelet e tij. Deri këtu, është gjysma e betejës.

Ward gjithashtu mbështet njerëzit që kanë nisur të bëjnë ndryshime në jetën e tyre të përditshme dhe që kërkojnë veprime konkrete nga udhëheqësit e tyre. Ai shpreson që libri i tij do të ndihmojë lexuesit që ta shikojnë gjendjen e tanishme të Tokës nga pikpamja e asaj që ka ndodhur në të kaluarën.

Sikurse shkruan Peter Ward në librin e tij “Nën një qiell jeshil”, “Ky moment në Tokë është vërtet një dhuratë e çmuar, që duhet shijuar dhe vlerësuar. Nëse ne krejtësisht kot, e shkatërrojmë këtë botë, vështirë se do të gjejmë një tjetër për ta zëvendësuar atë”. //iç//

XS
SM
MD
LG