Statusi i Kosovës nuk do të jetë peng i tratativave amerikano-ruse për çështje të tilla të mprehta si sistemi i mbrojtes nga raketat në Evropën Qendrore, mos përhapja e armëve të shkatërrimit në masë dhe sigurimi i burimeve energjetike, tha Senatori Richard Lugar në një diskutim për Rusinë në Institutin Brukings këtu në Uashington.
Pritet që edhe çështja e Kosovës të diskutohet në bisedimet që fillojnë në Moskë më 12 tetor, mes sekretarëve amerikanë të Shtetit dhe të Mbrojtjes me homologët e tyre rusë.
Burimet zyrtare në Uashington thonë se në rend të ditës të këtyre bisedimve janë sistemi i mbrojtes nga raketat në Evropën Qendrore, mos përhapja e armëve të shkatërrimit në masë dhe sigurimi i burimeve energjetike. Por a mund të kthehet statusi i Kosovës në një peng të interesve amerikano-ruse për këto çështje? “Jo. Nuk mendoj se ka të ngjarë që Kosova të bëhet peng i këtyre çështjeve, thotë senatori Lugar. Çështja e Kosovës ka rrugën e saj të veçantë dhe do të vendoset pavarësisht prej tyre”, tha zoti Lugar.
Kosova nuk ka qënë vetëm burim i dhunës që ka destabilzuar Ballkanin, tha Presidenti i Institutit Brukings, ish zëvendës-sekretari i Shtetit, Strobe Talbot, por edhe burim tensionesh shumë të rrezikshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.
Qeveria amerikane dhe ajo ruse, tha zoti Talbot, janë mbërthyer në divergjenca të thella lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës. Por a mund të gjendet një mënyrë për t’i afruar qendrimet e të dy vendeve për këtë çështje? Senatori Lugar, një nga republikanët më me influencë në Komisionin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë nuk shpreson shumë: SEN. RICHARD LUGAR “Nuk jam optimist se rusët do të ndryshojnë pikpamjen e tyre për Kosovën, brenda këtyre katër muajve, por ndoshata kjo mund të vijë me kalimin e kohës, gjë që gjithësesi më duket se nuk ka shumë të ngjarë”. Për më tepër, një çështje tjetër është, tha ai, se në çfarë mase Rusia do ta pranojë udhëheqjen Evropiane në Ballkan, e megjithatë kjo mbetet temë spekulimesh. Rusia, tha ai, ndoshta synon të tregojë se sa rëndësi ka për të Kosova, por nga ana tjetër rusëve mund t’u duhet të peshojnë interesat me rëndësi jetësore për ta për sot dhe në të ardhmen, si dhe marrëdhëniet ruso-amerikane.
Senatori Lugar theksoi se Shtetet e Bashkuara dhe një numër vendesh evropiane kishin shpresuar për një zgjidhje më të mirë të çështjeve ballkanike, por koha e tregoi se kjo nuk ndodhi dhe ata u detyruan të kërkonin ndihmën amerikane.
Senatori Richar Lugar ishte i ftuar nga Instituti Brukings për një diskutim mbi Rusinë në prak të takimit 2 + 2 të Moskës. Senatori iu përgjegj edhe pyetjeve lidhur me Ukrainën, Iranin, Irakun dhe çështje të tjera. //rd//