Lidhje

Udhëheqësit e tre komuniteteve të Bosnjes nuk binin dakort për reformat në polici


Udhëheqësit e tre komuniteteve etnike të Bosnjes nuk arritën të binin dakort për reformat në polici, një prej kërkesave kryesore për forcimin e marrëdhënieve të vendit të tyre me Bashkimin Evropian.

Përfaqësuesi ndërkombëtar për Bosnjen, Miroslav Lajçak e bëri të ditur dështimin sot, pas disa ditë negociatash mes komuniteteve kroate, myslimane dhe serbe. Ndërmjetësi ndërkombëtar tha se dështimi i shuan çdo shpresë këtij vendi për forcimin e marrëdhënieve me Evropën.

Bashkimi Evropian fillimisht kishte caktuar 30 shtatorin si afat për arritjen e marrëveshjes për reformën policore por më pas e shtyu afatin.

Bosnja është e ndarë në federatën kroato-myslimane dhe Republikën Serbe në bazë të marrëveshjes së Dejtonit.

Udhëheqësit e të dyja njësive administrative kanë bërë thirrje të vazhdueshme për forcimin e lidhjeve me Bashkimin Evropian. Por paaftësia e tyre për të kryer reformat e duhura, siç është krijimi i një force të njësuar policore, e ka bllokuar përparimin. //iç//

XS
SM
MD
LG