Lidhje

Erdogan kritikon miratimin e rezolutës


Kryeministri i Turqisë Reçep Erdogan kritikoi miratimin e një rezolute nga një komision i Kongresit amerikan që e quan gjenocid masakrën e armenëve nga perandoria otomane.

Kryeministri Erdogan u tha sot gazetarëve në Turqi se demokratët në Shtetet e Bashkuara po dëmtojnë të ardhmen e vendit të tyre dhe po nxisin ndjenjat anti-amerikane.

Ankaraja thirri dje ambasadorin e saj në Washington për konsultime. Qindra turq marshuan në rrugët e Ankarasë e të Stambollit, duke thënë se Turqia nuk do të lejonte kurrë një gjenocid.

Politikanët turq thanë se rezoluta mund të dëmtojë rëndë marrëdhëniet amerikano-turke. Një anëtar i lartë i partisë në pushtet, Egemen Bagis i kërkoi një audience në Washington të imagjinonte pasojat e mohimit nga ana e Turqisë të lejes për përdorimin e hapësirës ajrore turke nga ana e forcave amerikane.

Turqia është një pikë e rëndësishme për furnizimin e forcave amerikane në luftimet në Irak dhe Afganistan.

Shtëpia e Bardhë e kundështon rezolutën. Ajo i quan vrasjet e armenëve të tmerrshme, por shton se shpallja e tyre gjenocid mund të dëmtojë rëndë sigurimin kombëtar të Amerikës. //iç//

XS
SM
MD
LG