Lidhje

Ish-nën presidenti amerikan Al Gor dhe një komision i OKB-së - fitues të Çmimit Nobel për Paqe


Ish-nënpresidenti amerikan Al Gore dhe një Komision i Kombeve të Bashkuara u nderuan me Çmimin Nobel për Paqen për punën e tyre për të penguar ndryshimet klimatike. Komisioni i Çmimeve Nobel e njoftoi sot vendimin e tij në Oslo të Norvegjisë, duke thënë se vlerëson me këtë çmim përpjekjet e tyre për të informuar opinionin dhe për të hedhur dritë mbi alternativat për parandalimin e ndryshimeve të mëtejshme klimatike. Komisioni e cilësoi zotin Gore si një ndër politikanët më aktivë në çështjet e mjedisit dhe vuri në dukje angazhimin e tij në këtë temë përmes veprimtarisë politike, shkrimeve, leksioneve dhe filmave. Ndërkaq, Komisioni Ndërqeveritar për Ndryshimet e Klimës u vlerësua për punën shkencore që, siç thuhej në motivacionin e Çmimit Nobel, ka krijuar një konsensus të gjerë për rrezikun që paraqet ndryshimi i klimës.

Ish-Nënpresidenti amerikan Al Gore dhe Komisioni Ndërqeveritar për Ndryshimet e Klimës u nderuan sot me Çmimin Nobel të Paqes për përpjekjet e tyre për ndërgjegjësimin e opinionit për ndryshimet klimatike. Ole Danbolt Mjoes- Kryetar i Komisionit Norvegjez për Çmimet Nobel tha duke njoftuar çmimin:

"Komisioni Norvegjez për Çmimet Nobel vendosi që Çmimi Noble për vitin 2007 të ndahet mes Komisionit Ndërqeveritar për Ndryshimin e Klimës dhe Albert Arnold Al Gorit për përpjekjet e tyre për të mbledhur njohuri dhe përhapur përfundimet e studimeve të tyre për ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti i njeriut dhe për hedhjen e themeleve për të luftuar këto ndryshime. Treguesit për ndryshime në klimën e Tokës në të ardhmen duhet të merren shumë seriozisht dhe duke pasur si pikësynim parandalimin e këtyre rreziqeve. Ndryshime masive klimatike mund të kërcënojnë kushtet e jetesës së një pjese të madhe të njerëzimit."

Komisioni i Çmimeve Nobel tha sot se zoti Gore ka qenë prej kohësh një ndër politikanët më aktivë në botë për çështjet e mjedisit. Komisioni shtoi gjithashtu se angazhimi i tij ndaj kësaj çështjeje është pasqyruar edhe në veprimtarinë e tij politike, në shkrime, filma dhe leksione që ka mbajtur.

"Ai është ndoshta individi që ka bërë më shumë për të ndihmuar që publiku botëror të kuptojë më mirë masat që duhen miratuar," tha zoti Mjoes.

Vetë zoti Gore tha përmes një deklarate se ai dhe e shoqja e tij Tipper do t’ia dhurojnë 100 për qind të të ardhurave nga ky çmim Alenacës për Mbrojtjen e Klimës, një organizatë dy partiake që është e përkushtuar për të ndërgjegjësuar opinionin në Shtetet e Bashkuara dhe në botë për rrezikun që paraqesin ndryshimet klimatike.

Al Gore, i cili u nderua këtë vit me Çmimin Oscar për dokumentarin e tij “Një e Vërtetë e Papëlqyeshme,” me temë ngrohjen globale si pasojë e aktivitetit të njeriut, ishte favoriti i shumë vetëve për çmimin Nobel të Paqes.

Ndërkaq, Komisioni Ndërqeveritar për Ndryshimet e Klimës u veçua për punën e tij 20 vjeçare për të kuptuar ndryshimet klimatike dhe parashikuar prirjet e së ardhmes:

"Përmes raporteve shkencore që ka nxjerrë ky komision gjatë 2 dekadave të punës së tij shkencore, ka krijuar një konsensus gjithnjë më të gjerë për lidhjen që ekziston ndërmjet veprimtarisë së njeriut dhe ngrohjes globale. Mijëra shkencëtarë dhe zyrtarë nga mbi 100 vende të ndryshme kanë bashkëpunuar për të realizuar punën shkencore të këtij komisioni," tha zoti Mjoes i Komisionit të Çmimeve Nobel.

Këtë vit ndryshimet klimatike janë përfshirë ndër temat parësore në rendin e ditës të politikës ndërkombëtare. Vitet e fundit, Komisioni norvegjez që ndan çmimet Nobel të Paqes e ka zgjeruar interpretimin që specifikonte industrialisti Alfred Nobel në testamentin e tij për krijimin e këtij çmimi në vitin 1895, si çmim për përpjekjet për paqe dhe çarmatim. Tani ky çmim shpesh nderon aktivistë të të drejtave të njeriut, lëvizjeve demokratike, luftës kundër varfërisë, mbrojtjes së burimeve dhe mjedisit. //ad//

XS
SM
MD
LG