Lidhje

Kandidati republikan per president, senatori Xhon Mekein nga Arizona


Në listën plot me kandidatë republikanë për president, ndoshta asnjeri nuk është më i njohur se senatori Xhon Mekejn nga Arizona. Kjo është hera e dytë që zoti Mekejn vë kandidaturën për president.

Xhon Mekejn lindi në zonën e Kanalit të Panamasë në vitin 1936. Si djalë dhe nip i admiralëve të marinës amerikane, kariera ushtarake e çoi atë në Akademinë e Marinës dhe më pas në betejë si pilot i marinës në luftën e Vietnamit. Pasi aeroplani i tij u rrëzua mbi Vietnamin verior më 1967, zoti Mekejn kaloi 5 vjet e gjysëm si rob lufte, ku përjetoi rrahje brutale dhe u kthye në atdhe si hero kombëtar.

Zoti Mekejn thotë se përvoja e tij në luftë e bën atë veçanërisht të kualifikuar për detyrën e presidentit. “Unë do ta filloja detyrën e presidentit me plot energji dhe kompetencë. Nuk kam nevojë për trejnim në punë. E kam parë fytyrën e të keqes dhe e njoh fytyrën e luftës. Kjo është çështja kryesore, prandaj kjo është arsyeja që unë do të jem president i Shteteve të Bashkuara”.

Në katër mandatet si senator, zoti Mekejn njihet si njeri agresiv në politikën e jashtme dhe çështjet e mbrojtjes, por pa i lënë mënjanë çështjet e brendëshme. Në vitin 2000, zoti Mekejn humbi në fushatën e tij për të siguruar emërimin e Partisë Republikane përkundrejt presidentit Bush, guvernator i atëhershëm i Teksasit.

Zoti Mekejn shpreson të tërheqë votuesit konservatorë dhe të pavarur në përpjekjen e dytë për në Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e 2008-tës, duke theksuar sigurimin kombëtar. “Askush nuk mund të më thotë mua se ne nuk mund ta bëjmë vendin tonë më të fuqishëm dhe botën më të sigurtë. Ne mund dhe duhet ta bëjmë këtë. Dhe kur unë të zgjidhem president, ne do të bëjmë pikërisht këtë”.

Senatori i Arizonës luajti rol aktiv në hartimin e projekt-ligjit për financimin e fushatave. Ai mbështet ligjësimin e emigrantëve ilegalë, që ndodhen tashmë në Shtetet e Bashkuara. Të dyja këto qëndrime e dëmtojnë atë mes republikanëve konservatorë.

Në fillim të vitit, zoti Mekejn shikohej si kandidati me më shumë popullaritet mes republikanëve, por gjatë vitit fushata e tij pati probleme dhe tani ai radhitet pas ish kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut, Rudi Xhuliani, dhe ish senatorit të shtetit Tenesi, Fred Tompson.

Mes kandidatëve republikanë, zoti Mekejn ka qënë mbështetësi më i hapur i strategjisë së presidentit Bush për shtimin e trupave amerikane në Irak. “Lufta është shumë më e rëndësishme se çdo ambicje politike që unë kam. Mendoj se nëse ne dështojmë në atë luftë, në Irak do të ketë kaos dhe gjenocid në rajon dhe terroristët do të na ndjekin ne në vendin tonë”. Ekspertët vënë në dukje se gjatë karierës së tij senatori Mekejn e ka trajtuar me sukses rolin e një politikani në disavantazh. “A mund të fitojë zoti Mekejn? Ai ka ende mjaft popullaritet në anketat e opinionit. Ai është një figurë dinamike. Gara mes republikanëve nuk është përcaktuar ende, prandaj nuk do ta eliminoja kandidaturën e tij”. Në moshën 71 vjeçare, senatori Mekejn do të ishte personi më i moshuar në postin e presidentit, nëse ai fiton zgjedhjet e 2008-tës, duke ia kaluar kështu heroit të tij politik, Ronald Reagan, i cili ishte 69 vjeç kur bëri betimin. //rd//

XS
SM
MD
LG