Lidhje

Çmimi Nobel për ish-nënpresidentin Gor nxit zërat për kandidimin e tij


Statusi i ri i ish-nënpresidentit Al Gor si fitues i çmimit Nobel për paqen i ka bërë disa nga përkrahësit e tij politikë në Shtetet e Bashkuara që ta nxisin të kandidojë për President vitin e ardhshëm. Por shumë ekspertë politikë nuk mendojnë se Al Gor do të hyjë në garë për Shtëpinë e Bardhë:

Në konferencën për shtyp që dha pasi mori çmimin Nobel, zoti Al Gor nuk iu përgjigj pyetjeve duke u hapur rrugën hamendjeve për ndikimin e çmimit tek planet e tij të ardhshme politike.

Simpatizantët e zotit Gore menjëherë përfituan nga rasti që t’i rifillojnë përpjekjet për ta shtyrë të vendosë kandidaturën për president vitin e ardhshëm.

Monica Friedlander është themeluese e organizatës DraftGore – dot – com që ka nxjerrë reklama dhe ka mbledhur firma në një përpjekje për të bindur ish-nënpresidentin që të kandidojë për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2008.

“Ka një mbështetje aq të madhe dhe entuziazëm për të si kandidat i mundshëm. Do të ishte shumë e vështirë për të që të rezistonte, ose të paktën kështu shpresoj”.

Zoti Gore humbi në garën presidenciale të vitit 2000 me Presidentin aktual Xhorxh Bush. Analisti politik i Universitetit të Virxhinias Larry Sabato thotë se nuk ka dyshim që çmimi Noobel që mori zoti Gore do të frymëzojë simpatizantët e tij që të ushtrojnë presion ndaj tij për të hyrë në garën presidenciale.

“Kjo do t’i frymëzojë mbështetësit e tij. Ata kanë pritur me padurim që zoti Gore të futet në garë. Ata janë shumë të pakënaqur nga mundësia që Hillary Clinton të jetë kandidatja e Partisë Demokrate. Ky mund të jetë shansi i tyre i fundit”.

Zoti Gore ka thënë vazhdimisht se nuk ka në plan të kandidojë vitin e ardhshëm, megjithëse kur pyetet nuk e përjashton plotësisht mundësinë.

“Në fakt nuk e kam përqendruar vëmendjen atje. Tani po përqendrohem tek zgjidhja e krizës së klimës”.

Mes atyre që nuk besojnë se zoti Gore do të hyjë në garën presidenciale është analisti politik Tom DeFrank i gazetës New York Daily News. Ja ç’thotë ai për Zërin e Amerikës:

“Ai gjithmonë thotë se nuk ka plane për të kandiduar dhe zakonisht kjo shprehje do të thotë që alternativat janë të hapura. Por nuk besoj se ai do të kandidojë. Mua më duket se ai ndoshta po nxjerr shumë para dhe po merr shumë vlerësime dhe nuk ia vlen që ta vërë veten përsëri në atë pozicion të vështirë”.

Nëse Al Gore do të ndryshonte mendim dhe të hynte në garë, shumë analistë thonë se do të ishte një betejë e vështirë. Anketat e fundit e rendisin atë të tretin me një mbështetje rreth 10 për qind, shumë mbrapa Hillary Clintonit dhe Barack Obamës dhe pothuajse në të njëjtën pozitë me John Edwards.

Çmimi Nobel i Paqes ishte vlerësimi i fundit për zotin Gor në një vit që filloi me çmimin Oscar për dokumentarin “Një e vërtetë e papëlqyeshme”.Filmi e vuri në qendër të vëmendjes ngrohjen globale në Shtetet e Bashkuara dhe në gjithë botën. Pikëpamjet e Al Gorit për ndryshimet klimatike vazhdojnë të kritikohen, veçanërisht nga republikanë si senatori Jim Inhofe i Oklahomës.

“Mijëra metereologë, klimatologë dhe shkencëtarë mendojnë ndryshe. A mund të thoni se të gjithë e kanë gabim dhe vetëm ju keni të drejtë?”, iu drejtua ai në një rast zotit Gor.

Zoti Gor u tha gazetarëve pas marrjes së çmimit Nobel se shpreson që vlerësimi i punës së tij do ta rrisë ndërgjegjësimin për sfidat e ngrohjes globale. Zoti Gore e cilësoi atë çështje si një sfidë morale dhe shpirtërore për gjithë njerëzimin.//kk//

XS
SM
MD
LG