Lidhje

Marrëdhënie të tensionuara mes Rusisë dhe Gjeorgjisë


Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Gjeorgjisë janë ende të tensionuara, për shkak të vrasjes nga forcat gjeorgjiane të dy oficerëve ushtarakë rusë në rajonin separatist të Abkazisë në Gjeorgji.

Mikail Sakashvili u zgjodh President i Gjeorgjisë në janar të 2004 me një diferencë të thellë, si pasojë e një lëvizje popullore të njohur si “Revolucioni i Trëndafiltë”, që detyroi Eduard Shevarnazen të jepte dorëheqjen.

Që nga ardhja në pushtet, përpjekjet kryesore të zotit Sakashvili në politikën e brendëshme janë përqëndruar në luftën kundër korrupsionit. Në një fjalim të mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, muajin e kaluar, Presidenti i Gjeorgjisë tha se vendi i tij ka bërë përparime në këtë fushë.

“Korrupsioni, sipas të dhënave të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, është më i ulëti në krahasim me vendet e tjera, ekonomia e të cilëve ndodhet në tranzicion. Vendi ynë renditet përkrah disa vendeve me ekonomi më të zhvilluar në botë, si Australia, Zelenda e Re, Britania e Madhe, Singapori, Hong Kongu, Islanda. Banka Botërore dhe Korporata Ndërkombëtare Financiare e rradhitën Gjeorgjinë në vendin e 18 përsa i takon lehtësisë për të bërë bisnes dhe për këtë ndikuan transparenca institucionale dhe mungesa e korrupsionit”.

Sipas udheheqësit gjeorgjian, para disa vjetësh vendi i tij renditej i 140. Shumë ekspertë, duke përfshirë dhe Ronald Suny, në Universitetin e Çikagos, thonë se zoti Sakashvilli ka bërë hapa të mëdhenj në luftë kundër korrupsionit.

“Ai, në mënyrë drastike, eleminoi shumicën e korrupsionit në polici. Po ashtu ai shkoi mbas disa figurave kryesore, njerëz të pasur, oligarkë, në qoftë se mund t’i quajmë kështu, dhe me një zgjidhje interesante, me shumë prej tyre arriti marrëveshje kompromisi, duke u kërkuar paguanin një sasi të caktuar për shtetin dhe pastaj të vazhdonin biznesin”.

Në politikën e jashtme, zoti Sakashvill e ka përqëndruar vëmendjen në distancimin e Gjeorgjisë nga Rusia dhe në drejtim të Evropës. Objektivi i tij i parë është që ta bëjë Gjeorgjinë anëtare të NATO-s dhe për këtë qëllim, ata janë duke zhvilluar negociata. Robert Legvold, në Universitetin e Kolumbias, thotë se afërsia e Tbilisit me perëndimin, nuk filloi nga zoti Sakashvill.

“Ajo filloi me Eduard Shevarnazen, i cili në dy vitet e fundit, në të vërtetë, gjatë tre viteve të pushtetit të tij, ndoqi politika për ta afruar Gjeorgjinë me NATO-n dhe Bashkimin Evropian. Zoti Sakashvilli erdhi në pushtet si një politikan i angazhuar plotësisht drejt perëndimit dhe pa ndonjë interes të veçanta për të krijuar lidhje të afërta me shtete të ish-Bashkimit Sovjetik, ose me Rusinë. Në vend të kësaj, ai është angazhuar për ta çuar Gjeorgjinë drejt anëtarësimit në NATO dhe një ditë edhe në Bashkimin Evropian”.

Shumë analistë, thonë se lëvizja e Gjeorgjisë drejt perëndimit ka krijuar përplasje të mëdha midis zotit Sakashvilli dhe presidentit rus Putin. Ndëra profesori Legvold thotë se marrëdhëniet midis dy presidentëve janë unike.

“Armiqësi unike. Unë besoj se marrëdhëniet midis Rusisë dhe Gjeorgjisë janë të vetmet, gati armiqësore, brenda ish vendeve Sovjetike.”

Një problem tjetër madhor midis Moskës dhe Tbilisit është Abkazia dhe Osetia Jugore, dy rajone kufitare me Rusinë, të cilat janë ndarë “de fakto” nga Gjeorgjia. Sipas profesorit Suni të universitetit të Çikagos, është mbështetja ruse për këto dy rajone, që e pengon Gjeorgjinë t’i integrojë ato me pjesën tjetër të vendit. Kështu, sipas tij, Presidenti Sakashvilli është në dilemë se si të gjejë një mënyrë për t’i rikthyer këto dy rajone nën kontrollin e Tbilisit.

Marrëdhëniet midis Moskës dhe Tbilisit janë tensionuar gjatë muajve të fundit edhe si pasojë e incidenteve të fundit. Në muajin gusht, Gjeorgjia tha se dy avionë ushtarakë rusë u futën në hapësirën e saj ajrore, njëri prej të cilëve lëshoi një raketë që nuk shpërtheu. Rusia i mohoi të dyja akuzat. Dhe vetëm muajin e fundit, forcat gjeorgjiane vranë dy zyrtarë ushtarakë rusë. Olga Oliker është analiste pranë Korporatës RAND:

“Rusët vazhdojnë të thonë se ishin duke bërë manovra kundër terrorizmit dhe gjeorgjianët thonë se “Me çfarë të drejte ju bëni manovra anti terroriste në vendin tonë? Këto janë problemet”.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë gjithmonë aleatë të fortë të Gjeorgjisë. Por profesori Ronald Suny thotë se ato kanë ushtruar presion mbi Presidentin Sakashvilli për të ulur tensionet me Rusinë.

“Disa muaj më parë kriza me Rusinë arriti kulmin kur Gjeorgjia arrestoi një numër oficerësh rusë. Dhe ata menduan se ndoshta mund të përdornin mbështetjen amerikane. Por Presidenti Putin i telefonoi Presidentit Bush, dhe mbasi Shtetet e Bashkuara kanë marrëdhënie të rëndësishme me zotin Putin dhe Rusinë, zoti Sakashvill tha se për respekt të miqve tanë në Washington, në do t’i dorëzojmë këta njerëz dhe i liruan”.

Ekspertët thonë se çështja kryesore për Gjeorgjinë është se a mund të shpresojë ky vend për mbështetjen e Amerikës në qoftë se Tbilisi vazhdon të ndërmarrë veprime të cilat Rusia i konsideron provokuese.//lk

XS
SM
MD
LG