Lidhje

Presidenti Sejdiu pranon rrezikun në Luginën e Preshevës


Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha sot se shqiptarët në Luginën e Preshevës duhet të gëzojnë të drejtat e tyre, ndërsa pavarësia e Kosovës do të jetë në funksion të qëndrueshmërisë së rajonit.

Ai i bëri këto komente duke ju referuar raportit të Grupit Ndërkombëtarë të Krizave i cili u ka bërë thirrje Serbisë dhe udhëheqësve të shqiptarëve të Kosovës, si dhe komunitetit ndërkombëtar që të marrim masa për të garantuar që pavarësia e Kosovës të mos bëhet shkëndijë e trazirave në pjesën jugore të Serbisë.

Në raportin me titull “Serbia: Ruajtja e paqes në Luginën e Preshevës”, ky grup paralajmëron se qetësia në këtë rajon me shumicë shqiptare do të prishej në qoftë se Kosova do të ndahej ose në qoftë se atje do të shpërthenin trazira mes shumicës shqiptare dhe pakicës serbe.

Grupi i Krizave paralajmëron se si ekstremistët shqiptarë ashtu edhe ata serbë mund të përpiqen të nxisin luftime në Luginën e Preshevës, shqiptarët me shpresë që të bashkohen me Kosovën dhe Serbët për ta përdorur një dhunë të tillë për të mbuluar spastrimin etnik në rajon.

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha se synimi i Prishtinës është që Kosova të jetë shtet në tërësinë e vet tokësore dhe faktor i qëndrueshmërisë në rajon. “Ka lojëra të llojllojshme që dëshirojnë të hapen, në forma për të destabilizuar, për të humb kohë, për të hapë edhe çështje të tjera që do të ishin lojëra të rrezikshme. Prandaj edhe këto paralele që mund të vihen në këto forma, mund të kenë këto konotacione. Nuk e lëmë anash mundësinë e ngritjes së tensioneve të vazhdueshme që Serbia dëshiron t’i bëjë në Luginën e Preshevës. Besoj se është borxh i veçantë i faktorit ndërkombëtarë, i të gjithë mekanizmave, edhe evropian edhe në nivel të Kombeve të Bashkuara, që t’ua bëjnë me dije që me ato lojëra nuk mund të merren sepse shkaktohen reagime të tjera që mund të jenë me pasoja të paparashikueshme”, tha ai.

Presidenti Sejdiu tha se shqiptarët në Luginën e Preshevës duhet të gëzojnë të gjitha të drejtat që u takojnë. Me zotimin për përmbushjen e këtyre të drejtave, i është dhënë fund konfliktit ndërmjet kryengritësve shqiptarë dhe forcave qeveritare serbe në maj të vitit 2001. Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve kanë kërkuar që të drejtat e tyre të jenë në të njëjtën shkallë me ato të serbëve të Kosovës.

Zëvendës shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Steven Schook tha se çështja e sigurisë shtrohet më shumë në raport me vendimin për të ardhmen e Kosovës. “Janë dy çështje themelore, e para si do të sillet Beogradi në aspektin institucional ndaj vendimit cilido qoftë ai dhe përgjegjësia e KFOR-iu dhe UNMIK-ut se si do të veprojnë në raport me vendimin", tha zoti Schook, duke nënvizuar se ekzistojnë plane për të gjithë skenarët e mundshëm. Bisedimet për të ardhmen e Kosovës do të vazhdojnë më 22 tetor në Vjenë dhe sipas ndërmjetësuesve ato do të intensifikohen. Deri tash nuk ka pasur ndonjë përparim dhe zor se mund të ketë ndonjë marrëveshje ndërmjet të dyja palëve të cilat kanë qëndrime tërësisht të kundërta. Beogradi kërkon ruajtjen e sovranitetit mbi Kosovën, ndërsa për Prishtinën, pavarësia e Kosovës është e pa negociueshme. //rd//

XS
SM
MD
LG