Lidhje

Treshja u paraqet palëve 14 pika për kompromis të mundshëm


Anëtarët e Ekipit Negociator të Kosovës deklaruan sot në Prishtinë se dokumenti prej 14 pikësh, të cilin treshja e Grupit të Kontaktit pritet t'ua paraqesë atyre zyrtarisht të hënën në Vjenë, nuk prek propozimin e ish-kryenegociatorit Martti Ahtisaari.

Dokumenti, i cili i është dorëzuar javën e kaluar në takimin e Brukselit anëtarëve të këtij Ekipi, përmban pikat e përbashkëta me të cilat palët negociuese kanë rënë dakord. Ekipi i Negociuesve të Prishtinës do të do të zhvillojë të hënën në Vjenë takimin e tretë të drejtpërdrejtë me palën serbe në kuadër të bisedimeve shtesë për të ardhmen e Kosovës.

Sot, delegacioni i Prishtinës u nis për në Paris ku do të takohet me Ministrin e Punëve të Jashtme të Francës, Bernard Kushner. Nga takimet e mëparshme për statusin e Kosovës nuk është arritur ndonjë përparim.

Ndërkohë një zyrtar i Departamentit të Shtetit i tha dje Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht planin Ahisari. Zyrtari tha se, në se mes palëve nuk arrihet një marrëveshje deri më 10 dhjetor, Shtetet e Bashkuara besojnë se propozimet e të dërguarit të posaçëm të OKB-së Marti Ahtisari, përfshirë rekomandimin e tij për pavarësi të mbikqyrur për Kosovën, mbeten zgjidhja më e mirë për të ardhmen.

Më 22 tetor, tha zyrtari amerikan, treshja ndërkombëtare do të takohet fillimisht veçmas me secilën prej palëve, për të gjetur pika të mundshme marrëveshjeje, dhe më pas treshja do të ndërmjetësojë takimin e drejtëpërdrejtë mes palëve.//rd//

XS
SM
MD
LG