Lidhje

Një zyrtar i lartë i OKB-së, optimist se treshja do të sjellë rezultate konkrete


Zëvendësi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për operacione paqësore, Edmond Mullet, është shprehur optimist se treshja ndërmjetësuese e Grupit të Kontaktit në bisedimet shtesë mes Prishtinës dhe Beogradit, do të sjellë rezultate konkrete për Kosovën. Zoti Mullet tha se megjithëse është herët të flitet për rezultatet përfundimtare që mund të sjellë periudha shtesë e bisedimeve, ai shpreson në një rezultat të dalë nga negociatat mes palëve dhe treshes diplomatike të Grupit të Kontaktit.

Pas takimit që zhvilloi me udhëheqësin e Partisë Reformiste ORA, Veton Surroi, zoti Mullet tha se Organizata e Kombeve të Bashkuara vlerëson lart bashkëpunimin që pala kosovare ka treguar në bisedimet 120 ditëshe duke vënë në tavolinë propozime shumë konkrete. Ekipi i negociuesve të Prishtinës tashmë ka prezantuar para ndërmjetësve ndërkombëtarë nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Rusia traktatin e fqinjësisë së mirë me Serbinë në të ardhmen.

Anëtarët e këtij ekipi, të hënën në Vjenë do të zhvillojnë takimin e tretë të drejtëpërdrejtë me palën serbe, ndërkohë që të dërguarit e posacem të grupit të Kontaktit pritet që në këtë takim t'u prezantojnë palëve vlerësimet e para për rrjedhën e bisedimeve të deritanishme. Një ditë para takimit të Vjenës, Ekipi Negociator do të qëndrojë në Paris ku do të takohet me Ministrin e Punëve të jashtme të Francës Bernard Kushner. Para nisjes për në Paris negociatorët kosovarë zhvilluan një takim të shkurtër në Aeroportin e Prishtinës me zotin Mullet. //kk//

XS
SM
MD
LG