Lidhje

Kremtohet 30-vjetori i Kishës Zonja Pajtore e Shqiptarëve


Tridhjetëvjet më parë në Sauthfild të Miçiganit, në periferi të qytetit Detroit, Dom Prenk Ndrevashaj dhe një grup besimtarësh katolikë themeluan Kishën Zonja Pajtore e Shqiptarëve, e cila u shndërrua në vite jo thjesht në një objekt kulti, por në një institucion të rëndësishëm të ruajtjes së kulturës dhe traditave shqiptare.

Detroiti njihet si qendra e industrisë automobilistike amerikane. Megjithatë, ky qytet me një popullsi prej afro 1 milion banorësh fsheh pas fasadës prej çeliku e xhami një numër komunitetesh të larmishme dhe vitale si etnike ashtu edhe fetare. Sot komuniteti katolik në Sauthfild, në periferi të Detroitit feston një përvjetor të rëndësishëm.

Tridhjetë vjet më parë, Dom Prenk Ndrevashaj dhe një grup besimtarësh katolikë ngritën në Sauthfildtë Miçiganit Kishën Zonja Pajtore e Shqiptarëve. Tri dekada më pas, besimtarë katolikë të zonës janë mbledhur për të shënuar këtë përvjetor të rëndësishëm.

Kisha shpjegon, famulltari i Zonjës Pajtore të Shqiptarëve, Dom Ndue Gjergji, është rritur me komunitetin dhe ka përjetuar ndryshimet që ka kaluar ky komunitet. E themeluar fillimisht me besimtarë kryesisht nga Mali i Zi dhe nga Kosova, sot, shpjegon Dom Ndue Gjergji rreth 70 për qind e komunitetit të saj janë nga Shqipëria, të cilët tek kisha kanë gjetur një mbështetje të madhe për t’i ndihmuar në ambjentimin në Shtetet e Bashkuara.

"Kohëve të fundit jemi angazhuar shumë për t’i ndihmuar për dokumenta, jo vetëm ne, por edhe besimtarët kanë dhënë një kontribut shumë të çmueshëm për t’iu ndihmuar njerëzve të integrohen në rrjedhat e jetës, në kishën dhe komunitetin tonë. Kisha me thanë se ata kanë gjetur një vend të përgatitur. Ishte kisha, ishin strukturat e kishës, ishin besimtarët që i ndihmonin, ishin besimtarët, të cilët i kanë mirëpritur aq shumë njerëzit nga Shqipëria. Edhe ata e dinë e u janë shumë të falenderueshëm, por edhe ne jemi shumë të falenderueshëm atyre, të cilët e kanë ringjallur komunitetin, i kanë dhënë një fuqi dhe shpresë të re," thotë Dom Ndue Gjergji.

Komunitetet shqiptare të stabilizuara prej dekadash tradicionalisht kanë ruajtur më mirë zakonet dhe gjuhën shqipe, shpesh duke krijuar një mikrokozmos shqiptar në Shtetet e Bashkuara. Por Dom Ndue Gjergji thotë se kjo prirje nuk e ka penguar procesin e integrimit të shoqërinë amerikane.

"Nuk mendoj se kjo pengon. Kisha me thanë se na duhet të zhvillojmë brenda për brenda atë që është e jona, mos të humbin vlerat, gjuhën, traditën. Kjo, nuk kisha me thanë se pengon aspak integrimin në shoqërinë amerikane, biles e mundëson. Asimilimi nuk është i mirë. Por, edhe kisha sa bukur e thotë ‘Të ruhen vlerat kombëtare, të ruhen vlerat e çdo kulture, çdo tradite. Kjo vetëm na ndihmon për një integrim më të mirë – jo shkrirje, por integrim në shoqërinë amerikane."

Kisha Zonja Pajtore e Shqiptarëve është një ndër 5 komunitetet fetare shqiptare në zonën Southfield, të cilat u përkasin 3 besimeve të ndryshme fetare. Marrëdhëniet mes këtyre komuniteteve, thotë Dom Lush Gjergji janë provë e një tradite të vyer të shqiptarëve, jo thjeshtë të tolerancës, por të një dashurie vllazërore, që i kapërcen kufijtë e dallimeve fetare.

"Do t’i dëshmojmë botës se krishtërimi dhe islamizmi, jo vetëm mund të jetojnë bashkarisht, por mund të bashkëjetojnë dhe të mos jenë në marrëdhënie tolerance. Kam thënë dhe e përsëris: për ne shqiptarët, të themi se kemi tolerancë fetare është tepër pak, se të tolerosh vëllain domethënë s’ke çfarë t’i bësh se e ke vëlla. Ne nuk duhet ta tolerojmë njëri-tjetrin, por ta nderojmë, ta duam dhe ta përkrahim për mirë gjithkënd," thotë Dom Lush Gjergji.

Një sfidë e madhe e suksesit të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, dhe në përgjithësi në emigracion jashtë vendit, thotë Dom Lush Gjergji, mbetet ruajtja e traditave më të çmuara të kulturës shqiptare, kulturës së dashurisë dhe respektit për jetën.

"Shoqëria, e cila ka kujdes për fëmijë e për pleq, është një shoqëri që e ka kulturën e jetës, dhe jeta ka kuptim vetëm nëse gjendet kultura e dashurisë. Nëna Terezë ka dëshmuar para botës mbarë se tradita jonë i ka këto virtyte, i ka këto karakteristika," thotë Dom Lush Gjergji.

Në këtë 30-vjetor të Kishës, besimtarët janë mbledhur jo thjeshtë për kremtime, por një mundësi për të reflektuar mbi përkushtimin shpirtëror dhe rrugën e këtij komuniteti përpara. //ad//

XS
SM
MD
LG