Lidhje

Portret i kandidatit republikan për president, Rudi Xhuliani


Një prej kandidatëve kryesorë për emërimin e Partisë Republikane në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm është ish kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Rudi Xhuliani. Zoti Xhuliani u vlerësua për mënyrën se si e trajtoi gjendjen në qytetin e tij pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 si dhe për uljen e numrit të krimeve gjatë periudhës kur ai ishte në atë post. Por kritikët vënë në dukje stilin luftarak të zotit Xhuliani si një aspekt të tij negativ politik. Në materialin në vazhdim ju sjellim disa aspekte të rëndësishme të karierës së tij dhe disa karakteristika të jetës së tij personale.

Në orët e tensionuara menjëherë pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, asnjeri në skenën kombëtare nuk gërshetoi dhimbjen, vendosmërinë dhe forcën më shumë se sa kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Rudi Xhuliani.“Është diçka e tmerrshme, dëmi është i tmerrshëm. Njerëzit po bëjnë çdo gjë të mundur për të shpëtuar sa më shumë njerëz dhe kjo do të jetë një përpjekje afat gjatë. Dua të sigurohem se bëhen të gjitha përpjekjet. Ne i lutemi Zotit se do të mund të shpëtojmë disa njerëz”.

Është pikërisht ky imazh i dhimbshurisë dhe vendosmërisë, që zoti Xhuliani shpreson ta shoqërojë atë deri në emërimin të Partisë Republikane si kandiat për Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e vitit 2008.

Por fenomeni politik i njohur si Rudi Xhuliani i ka rrënjët në fillime modeste. Zoti Xhuliani, nip i emigrantëve italianë, lindi në Bruklin të Nju Jorkut në vitin 1944.

Megjithëse babai i Rudit u dënua me burg, i biri vazhdoi studimet dhe u bë avokat dhe prokuror federal, i cili u vu pas krimeve të kryera nga zyrtarët dhe disa prej figurave më famëkeqe të Mafias së Nju Jorkut.

Zoti Xhuliani humbi me rezultat të ngushtë zgjedhjet për kryetar bashkie në vitin 1989, por 4 vjet më vonë fitoi dhe menjëherë u bë i njohur për punën e tij kundër krimit dhe për uljen e taksave.

Por stili politik luftarak i zotit Xhuliani i shkaktoi atij probleme, madje ai u kritikua nga veprimtarë të të drejtave civile për mënyrën se si i trajtoi disa incidente që tërhoqën shumë publicitet lidhur me abuzimin nga policia të pakicave në qytet.

Pasi shkoi me nxitim në Qendrën Botërore të Tregëtisë më 11 shtator 2001, zoti Xhuliani fitoi mbështetjen e madhe të qytetarëve e politikanëve si dhe titullin jozyrtar ‘Kryetari i Bashkisë së Amerikës’. Revista Tajm e zgjodhi atë Person të Vitit 2001.

Por më vonë, disa zjarrfikës dhe familjet e tyre e akuzuan zotin Xhuliani se braktisi shumë shpejt operacionet e kërkimit për viktimat e mbetura nën rrënojat e Qendrës Botërore të Tregëtisë.

Ndërsa ai ka vënë kandidaturën për Shtëpinë e Bardhë vitin e ardhshëm, zoti Xhuliani po e paraqet veten si një zyrtar, që e ka provuar veten se mer vendimet e duhura në kohë të vështira dhe që do të vazhdonte luftën kundër terrorizmit.

Ashtu si presidenti Bush, zoti Xhuliani e shikon luftën në Irak si frontin kryesor të luftës kundër terrorit në përgjithësi.“Terroristët kanë qënë në luftë me ne për një kohë të gjatë para sulmeve terroriste të 11 shtatorit. Ata do të vazhdojnë luftën kundër nesh, pavarësisht nga rezultati në Irak. Ne shpresojmë dhe i lutemi Zotit për një përfundim të sukseshëm në Irak. Çdo amerikan duhet të lutet për këtë”.

Anketat e opinionit publik tregojnë se zoti Rudi Xhuliani është kandidati më i preferuar sepse republikanët e admirojnë atë për shpirtin e tij udhëheqës. Por disa konservatorë kundërshtojnë pikpamjet e modertuara dhe liberale të zotit Xhuliani rreth çështjeve shoqërore si aborti, të drejtat e homoseksualëve dhe kontrolli i armëve. “Për sa kohë që zoti Xhuliani ta mbajë vemendjen të përqëndruar në sulet terroriste kundër Amerikës dhe çështjet e sigurimit kombëtar, ai do të ketë shance për të fituar emërimin e partisë së tij. Por nëse kandidatët e tjerë arrijnë ta shtrijnë debatin në çështje të tjera si aborti, të drejtat e homoseksualëve, kontrolli i armëve dhe çështje të tjera shoqërore si emigracioni, zoti Xhuliani nuk do të jetë më në avantazh”.

Edhe jeta personale e zotit Xhuliani mund t’i krijojë atij probleme gjatë fushatës. Zoti Xhuliani është martuar 3 herë dhe gjatë kohës kur ishte kryetar bashkie jeta e tij personale u bë objekt i shtypit të Nju Jorkut. “Nëse fiton ai do të ishte në shumë mënyra një kandidat shumë i fortë për republikanët sepse ai mund të tërheqë votuesit me pikpamje të moderuara. Ai është shumë karizmatik si dhe një figurë kontradiktore dhe këto janë veti të tij që nuk duhen harruar”.

Edhe shumë demokratë mendojnë se ish kryetari i bashkisë së Nju Jorku do të jetë një kandidat i mrekullueshëm presidencial i republikanëve, por ekspertët thonë se sfida e tij më e madhe do të jetë të bindë konservatorët, që shqetësohen rreth çështjeve shoqërore, se ai është kandidati më i mirë. //ii

XS
SM
MD
LG