Lidhje

Bojaxhi: Këtë vit është në plan të importohet sasia më e madhe e energjisë në një vit


Zëri i Amerikës: Zoti Bojaxhi, KESH ka vite që bashkëpunon me Bankën Botërore për sektorin energjetik në Shqipëri. Në takimet që keni patur këto ditë, a keni biseduar për një nismë të re?

Gjergj Bojaxhi: Sigurisht, bashkëpunimi me Bankën ka qenë i frytshëm gjatë këtyre viteve dhe Banka Botërore ka qenë një nga partnerët tanë kryesorë në këtë sektor. Ajo që mund të them se është e re, është fakti i rëndësisë që po merr sektori energjetik, në krahasim me sektorë të tjerë. Nëse dikur ka qenë ndër sektorët e rëndësishëm, tani mbase është bërë më i rëndësishmi dhe me i ndjeshmi në marrëdhëniet që ne kemi. Megjithatë, ne gjykojmë që në tërësi, Banka do të vazhdojë që të punojë me ne në këtë sektor dhe në shumicën e pikave që ne kemi; ne biem dakort përsa u përket prioriteteve dhe në mënyrën se si duhet t’i arrijmë ato.

Zëri i Amerikës: Vera e këtij viti ka qenë një nga më të vështirat për gjendjen energjetike në Shqipëri, ndërkohë që dimri po afrohet. Çfarë masash ka ndër mend të marrë KESH-i për përmirësimin e situatës energjetike në vend?

Gjergj Bojaxhi: Gjëja më e rëndësishme që mund të bëjmë ne, është sasia e importit. Këtë vit ne kemi planifikuar të importojmë sasinë më të madhe të importuar ndonjëherë në Shqipëri gjatë një viti. Edhe për muajin nëntor, energjia është siguruar. Ngelet për t’u siguruar energji për dhjetorin dhe për vitin tjetër. Sigurisht, situata me furnizimin e energjisë elektrike edhe gjatë dimrit nuk varet vetëm nga ne, varet edhe nga kushtet klimaterike. Dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për rreshjet, por bëhet fjalë edhe për llojin e dimrit. Nëse dimri do të jetë tepër i ftohtë, atëherë do të ketë një kërkesë më të lartë për energjinë; dhe nëse dimri do të jetë më i butë, ashtu siç ishte ai i vitit të kaluar, atëherë kërkesa do të jetë më e ulët dhe ne do të kemi mundësi ta menaxhojmë më kollaj dhe të furnizojmë më shumë.

Zëri i Amerikës: Gjendja e energjisë rëndohet edhe nga humbjet në rrjet, apo mospagimi i faturave. Çfarë shifrash kapin aktualisht humbjet?

Gjergj Bojaxhi: Në fakt, ne kemi bërë përmirësime tepër të ndjeshme në këtë aspekt, qoftë bazuar tek rezultatet në humbje dhe arkëtime, që nuk janë kapur gjatë dy viteve të fundit. Gjatë këtyre gjashtë muajve, këto rezultate janë kapur çdo muaj. Si nëntë-mujor, ne i kemi arritur ato që kishim si objektiva.

Zëri i Amerikës: A mund të na jepni ndonjë shifër? Gjergji Bojaxhi: Mesatarisht mund të them, se gjatë këtyre gjashtë muajve, humbjet në rrjet kanë qenë rreth 30 përqind. Por këtë duhet ta shohim në kontekst. Nëse ne krahasojmë shifrat që kemi sot me një vend perëndimor, atëherë këto shifra duhet të ishin vetëm 10-12 përqind. Në qoftë se i krahasojmë këto shifra me mesataren e humbjes vitin e kaluar, e cila ishte 39 përqind, atëherë këto shifra duken përsëri shumë të mira. Kështu që, duke marrë parasysh kontekstin dhe strategjinë që ne kemi vendosur se si duhet të rregullohen këto shifra, deri tani ne po ecim në bazë të strategjisë dhe jemi të kënaqur me këto rezultate. Por sigurisht, që vitin tjetër këto rezultate do të jenë akoma më të rrepta dhe më të vështira për t’u kapur. Synimi është që për vitin 2008 humbjet të mos jenë më shumë se 32 përqind.

Zëri i Amerikës: A ka përcaktuar KESH-i një strategji të përgjithshme për të dalë nga krizat e vazhdueshme energjetike?

Gjergj Bojaxhi: Po, korporata çdo vit bën një plan, i cili është shumë konkret për vitin në fjalë dhe është një plan i përafërt për vitin e ardhshëm. Ne në fund të këtij viti do të kemi planin për vitin 2008 dhe një plan të përqafërt për vitin 2009 dhe 2010. Siç ju thashë deri tani, plani për vitin 2007 është realizuar dhe ngelet vetëm tre-mujori i fundit, për të parë nëse do të ketë ndonjë ndryshim. Ne kemi besim se do ta arrijmë këtë plan. Në fakt, rezultatet i kemi të tejkaluar në aspektin e arkëtimeve. Kemi arkëtuar më shumë nga ç’kishim planifikuar. Jemi pak a shumë aty ku duhet me humbjet, por siç ju thashë, dimri ka gjithmonë të papritura dhe do të shikojmë si do të shkojnë punët.

Zëri i Amerikës: Prej vitesh është folur për privatizimin e KESH-it. Në ç’fazë janë përpjekjet për privatizimin e Korporatës?

Gjergji Bojaxhi: Deri tani është ecur mirë, por puna e parë kur bëhet privatizimi është të ristrukturohet kompania dhe të krijohet një paketë për investitorët potencialë që do të vijnë. Kjo është një punë që është tepër e brendshme dhe nuk është e dukshme publikisht, prandaj edhe nuk duket sikur ka ndonjë veprim konkret. Ne kemi kotraktuar IFC-në, që është degë e Bankës Botërore,si këshilltare për këtë transaksion. Ata kanë punuar me punonjësit tanë për të ndërtuar paketën e informacionit dhe për të ristrukturuar informacionin për kompanitë e mundshme, që duan të marrin pjesë në privatizim, që ato të kenë një paketë të dhënash dhe të bëjnë një analizë të mirëfilltë të kompanisë, për të vlerësuar dhe vendosur ofertën që ato do të japin.

Zëri i Amerikës: Privatizimi do të përfshijë vetëm shpërndarjen e energjisë?

Gjergji Bojaxhi: Për momentin, synimi është për të privatizuar shpërndarjen, e cila është edhe segmenti i korporatës që prek në mënyrë më direkte konsumatorin shqiptar, rreth 900 mijë konsumatorë që kemi. Paralelisht me përgatitjen e këtyre informacioneve, ne po punojmë për përmirësimin e rezultateve në terren. Synimi është, që kur të privatizohet KESH-i dhe shpërndarja, kompania të merret më shumë me përmirësimet dhe investimet në aspektin teknologjik, sesa me problemet që has sot korporata me njerëz që vjedhin energjinë elektrike, ose që refuzojnë ta paguajnë atë. Prandaj edhe puna jonë ka qenë e përqendruar tek eleminimi i mos-arkëtimeve dhe eliminimi i atyre që vjedhin energjinë elektrike. Për këtë arsye, ne kemi ndjekur të gjitha metodat, konkretisht ndërprerjen e energjisë elektrike, kapjen në flagrancë të atyre që e rilidhin vetë, arrestime me policinë, ndjekjen e dosjeve me prokurorinë dhe vajtjen në gjyq dhe ky do të jetë përqendrimi ynë në muajt e ardhshëm. Ne nuk do t’i tolerojmë në asnjë mënyrë ata që mendojnë se mund ta vjedhin energjinë elektrike dhe të mos ndëshkohen, dhe nuk mund t’i lëmë ata që nuk paguajnë energjinë elektrike të furnizohen me këtë mall.

XS
SM
MD
LG