Lidhje

UNMIK i kërkon Beogradit të mos i pengojë serbët të marrin pjesë në zgjedhje


Administrata ndërkombëtare në Kosovë ka kërkuar nga kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica, të mos i pengojë serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e parapara të mbahen më 17 nëntor.

Zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksandër Ivanko, konfirmoi sot se shefi i UNMIK-ut Joakim Ryker, ia bëri këtë kërkesë kryeministrit serb përmes një letre të dërguar me 6 tetor.

"Minimumi që UNMIK-u pret është që Beogradi së paku të mos i pengojë serbët e Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhje”, tha sot zoti Ivanko në një konferencë për media.

Për më shumë, Ivanko tha se UNMIK-u shqetësohet se Beogradi dhe disa politikanë serbë lokalë, madje i kanë kërcënuar kandidatët e regjistruar të cilët do të dalin në zgjedhje.

Kjo është e papranueshme", ka thënë Ivanko. "Ndryshe, zgjedhjet komunale dhe parlamentare të Kosovës janë caktuar të mbahen më 17 nëntor."

Fushata parazgjedhore zyrtarisht nis më 25 tetor dhe do të zgjasë për 21 ditë rresht. Pavarësisht pse shumë subjekte politike serbe tani janë certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të marrë pjesë në garën zgjedhore, ende nuk dihet nëse qytetarët serbë të Kosovës do të dalin në votime ose jo.

Shumica e serbëve të Kosovës kanë bojkotuar tri nga gjithsej katër zgjedhje të organizuara në Kosovë që nga përfundimi i luftës në vitin 1999. Në të gjitha rastet, qeveria e Beogradit ka bërë thirrje te popullata serbe e Kosovës që të mos dalin në votime.//lk

XS
SM
MD
LG