Lidhje

Presidenti Bush: Urgjente nevoja për një sistem amerikan mbrojtës nga raketat në Evropë


Presidenti Bush tha, se nevoja për një sistem amerikan mbrojtës nga raketat në Evropë është urgjente, për shkak të shtimit të rrezikut iranian. Siç njofton korrespondentja jonë nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti i bëri thirrje Kongresit të miratojë fondet e duhura për nismën e tij për mbrojtjen nga raketat.

Për herë të parë, planin e tij të mbrojtjes nga raketat, Presidenti e bëri të ditur në vitin 2002, gjatë një fjalimi në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare këtu në Uashington. Sot, pas 5 vjetësh, ai bëri një pasqyrë të përparimit të arritur.

Presidenti tha se numri i shteteve të papërgjegjshme me aftësi armësh balistike është shtuar dhe nevoja për një sistem mbrojtës nga raketat është shtuar më shumë se kurrë.

“Mbrojtja nga raketat është jetike për sigurinë tonë. Sistemi mbrojtës është një mjet kritik për të frenuar vendet e tjera dhe një mjet po aq jetik, për të mos lejuar përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë”,- tha Presidenti.

Presidenti tha, se duke hequr pak nga pak fondet e duhura për prodhimin dhe dislokimin e sistemit mbrojtës nga raketat, Kongresi nuk po merr parasysh kërcënimet e tanishme dhe të së ardhmes.

“Secili prej këtyre programve është jetik për sigurinë e Amerikës. Kongresi duhet të miratojë gjithë fondet e duhura për to” ,- tha Presidenti.

Presidenti nuk e përmendi konkretish planin për vendosjen e një sistemi anti-raketë në Evropë, që përbëhet nga një sistem interceptorësh në Poloni dhe një sistem radarësh në Republikën Çeke.

Presidenti kritikoi Kongresin që ka shkurtuar 139 milionë dollarë nga kjo nismë. Ai tha, se komponenti evropian është i nevojshëm për t’u mbrojtur nga kërcënime të mundshme nga Lindja e Mesme dhe veçanërisht nga Irani.

“Nevoja për një sistem mbrojtës nga raketat në Evropë është reale dhe për mendimin tim, urgjente. Irani po përparon me teknologjinë që mund të përdoret për prodhimin e armëve bërthamore dhe të raketave balistike me reze gjithnjë e më të gjatë për t’i transportuar ato.”

Disa orë më parë, gjatë një vizite në Republikën Çeke, Sekretari i Mbrojtjes Robert Gejts, la të kuptohet se Uashingtoni mund ta shtyjë aktivizimin e elementit evropian në sistemin e mbrojtjes nga raketat, derisa të ketë prova të një kërcënimi me raketa nga Irani.

Sekretari Gejts dhe Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs, ishin kohët e fundit në Moskë, për të diskutuar rreth sistemit të debatueshëm të mbrojtjes nga raketat me presidentin rus Vladimir Putin. Zoti Putin thotë se dislokimi i këtij sistemi do të destabilizonte Evropën dhe do të çonte drejt një garë të re armatimesh.

Në fjalimin e tij, zoti Bush nuk e përmendi konkretisht mundësinë e një vonese të dislokimit të sistemit. Por ai u përpoq t’u përgjigjej shqetësimeve ruse:

"Lufta e Ftohtë ka mbaruar. Rusia nuk është më armikja jonë. Ne po ndërtojmë marrëdhënie të reja në fushën e sigurisë, themelet e të cilës nuk mbështeten në prespektivën e asgjesimit të njëri-tjetrit."

Presidenti Bush e quajti sistemin e propozuar të mbrojtjes nga raketat, një përpjekje bashkëpunimi, duke shtuar se ai synon të mbrojë edhe Rusinë.//lk

XS
SM
MD
LG