Lidhje

Xhaferri: Objekti i "Komisionit Sollaku 2", lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit


Zëri i Amerikës: Zoti Xhaferri, si do të procedohet me Komisionin Sollaku, në kushtet kur opozita ka thënë se nuk do të marrë pjesë në të?

Ferdinand Xhaferri: Natyrisht, ne do të dëshironim që opozita të merrete pjesë në këtë komision, por kjo ishte një zgjedhje e opozitës, për çështje konkrete, por që ka rëndësi për çështjen e reformave, për ekzekutimin e vullnetit të maxhorancës për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Komisioni do të mblidhet që nesër, kanjë objekt të qartë hetimi, i cili do të ballafaqojë Prokurorin e Përgjithshëm me nenin 149 të Kushtetutës, dhe ku do të evidentohen shkeljet e rënda të ligjit, nga ky institucion i përfaqësuar nga Prokurori i Përgjithshëm.

Zëri i Amerikës: Çfarë legjitimeti do te kishte ky komision pa pjesëmarrjen e opozitës.

Ferdinand Xhaferri: Unë do të thoja se legjitimitetin e Komisioneve e formulon dhe e projekton legjislacioni shqiptar; komisioni është tërësisht kushtetues, si çështje tejet konkrete. Në të vërtetë, duhet patur i qartë fakti, që tek Prokuroria e Përgjithshme, konkretizohet i gjithë vullneti politik i një force politike, për të ndërtuar aksionin politik në luftën karshi krimit dhe korrupsionit. Pra, është një organ kyç, që ka të bëjë me suksesin karshi krimit të organizuar dhe korrupsionit

Zëri i Amerikës: Më konkretisht, a ka në Kushtetuën e Shqipërisë ndonjë nen që lejon formimin e një komisioni parlamentar, pa pjesëmarrjen e opozitës?

Ferdinad Xhaferri: Janë dy nene të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, janë dhe rregulloret dhe aktet e tjera ligjore, që parashikojnë dhe rastet kur opozita merr dhe nuk merr pjesë në Komisione, ato janë 149 dhe neni 177 i Kushtetutës, që formatojnë ngritjen e këtyre komisioneve hetimore. E rëndësishme është të shpjegohet mospjesëmarrja e opozitës,e cila lidhet me shkaqet e tjera. E thashë edhe një herë, çështja e Prokurorit të Përgjithshëm fut në kontradiktë të shkuarën e opozitës së sotme, me vullnetin e kësaj maxhorance. Duhet të theksoj, se deri në vitin 2005, në Shqipëri mbisundoi moszbatimi i ligjit, mbisunsoi korrupsioni i cili u ngrit në sistem dhe kuptohet, që edhe Prokuroria e Përgjithme ka qenë pjesë e këtij sistemi. Tani kemi një vullnet të ri dhe opozita do ishte pjesëmarrëse në këtë proces, në se cilësisht do të ishte në gjendje të reformonte vetëveten, për të marrë vendimet e duhura politike. Aktualisht, kemi një opozitë, që shëtit qytet më qytet të vendit, ku ish-kryetari me kryetarin kanë problemet e tyre, pra është një opozitë e çoroditur dhe ne na vjen keq që nuk ishte në gjendje të bashkangjitej, edhe për këtë çështje konkrete.

Zëri i Amerikës: Çfarë ndryshimi do të ketë Komisionit "Sollaku-2", pra ky i tanishmi, nga ai "Sollaku-1", i disa muajve më parë?

Ferdinand Xhaferri: Ndryshimi ka të bëjë me objektin e hetimit. Ky komision do të merret me çështje të reja, duke e konceptuar, se pavarësisht nga komisioni i mëparshëm, zoti Sollaku, si Prokuror i Përgjithshëm, e kishte edhe një shans tjetër, por nuk u vu re asnjë lloj refletkimi gjatë këtij viti, dhe të gjitha çështjet dhe objekti i hetimit, kanë të bëjnë me çështje të reja, që kanë të bëjnë me moszbatimin e ligjit, nga Prokuroria e Përgjithsme, e pare si e tërë, si system i centralizuar, moszbatim i ligjit, ky, që ka sjellë, në radhë të pare, të mos zbatohen kërkesat e vendeve fqinjë për të ndaluar personat e kërkuar nga këto vende, duke e kthyer Shqipërinë në strehë të krimit të organizuar, dhe në radhë të dytë, si pasojë e këtij moszbatimi të ligjit, janë liruar për arsye fare banale, persona të dënuar, me rrezikshmëri të lartë.

Zëri i Amerikës: A ju shqetëson mundesia që opozita mund ta bojkotojë reformën në drejtësi, në kushtet kur organizmat ndërkombëtare ja kërkojnë Shqipërisë kryerjen e reformave në këtë fushë?

Ferdinand Xhaferri: Unë do të thoja, që pak a shumë, kemi ndërtuar një klimë shumë të mire politike dhe vendi po përjeton një moment shumë të mire politik, pak a shumë jemi shumë pranë marrje së ftesës për t’u anëtarësuar në NATO, jemi bashkarisht me opozitën për reformën zgjedhore, po kështu edhe për reformën në drejtësi; kjo është një çështje tejet konkrete, që duhej një bashkëpunim shumë i mirë i opozitës, që morali të bashkangjitej edhe në këtë çështje; sentimentet e së shkuarës nuk e mundësuan opozitën t’i bashkangjitej pozitës, por nuk mendoj që një çështje konkrete mund të përcaktojë klimën e bashkëpunimit; bashkëpunimi është shumë më i gjerë dhe bashkëpunimi vetë është më efektiv dhe më i funksionueshëm, kur ka edhe çështje kur palët ndahen dhe debatojnë.

XS
SM
MD
LG