Lidhje

Presidenti Putin parashtron planet për të vazhduar udhëheqjen e Rusisë


Tri muaj para zgjedhjeve parlamentare në Rusi dhe 6 muaj para zgjedhjeve presidenciale, nuk është e qartë se kush mund ta zëvendësojë Presidentin, Vladimir Putin. Ndoshta askush. Kushtetuta e Rusisë nuk e lejon Presidentin Putin të kandidojë për një mandat të tretë. Ai vetë i ka hedhur poshtë spekulimet se ai mund të tentojë të ndryshojë kushtetutën për të qendruar në atë post. Por agjenti popullor i KGB-së ka thënë se nuk e përjashton mundësinë për t’u bërë kryeministër.

Skena i përngjan asaj të periudhës sovjetike. Një kongres i madh partie dhe një audiencë mirënjohëse që duartroket gjatë fjalimit të presidentit. Është tetori i 2007-tës, nuk janë komunistët, por Partia Rusia e Bashkuar pro-Kremlinit dhe Presidenti Vladimir Putin që janë në epiqendër.

Presidenti Putin thotë se do të përfaqësojë partinë e tij në zgjedhjet e dhjetorit dhe se mund të bëhet kryeministër pasi t’i përfundojë mandati në mars. Analistët thonë se vendimi i Vladimir Putinit nuk ka të ngjarë t’i garantojë partisë së tij shumicën dërmuese në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit. Kjo do të thotë se Duma e ardhëshme, dhoma e ulët e parlamentit të Rusisë, do të jetë edhe më pro Kremlinit. Nikolai Petrov i Fondacionit Karnegi në Moskë thotë: “Në qoftë se zoti Putin kryeson listën e tyre, ata kanë shansin të marin 70 përqind të votave, gjë që u lë pak vota kandidatëve të tjerë dhe kështu nga katër parti që mendohej të merrnin pjesë në parlament para veprimit të Putinit, ne mund të flasim tani për dy apo ndoshta tri parti në parlament”.

Ndërkohë, një tjetër lëvizjeje politike, koalicionit të opozitës “Rusia Tjetër” i është refuzuar e drejta për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhëshme. Autoritetet thonë se kjo lëvizje nuk ka ndjekur kriteret e regjistrimit në bazë të ligjit të ri për partitë politike.

Udhëheqësi i koalicionit, ish kampioni botëror i shahut, Gerri Kasparov, thotë se do të konkurojë për postin e presidentit, edhe në qoftë se lëvizja e tij nuk arin të zërë vend në dhomën e ulët të Parlamentit të Rusisë. "Qëllimi i ‘Rusisë Tjetër’ nuk është të fitojë zgjedhjet, por të ketë zgjedhje. Ne po përpiqemi ta detyrojmë regjimin të respektojë të drejtën tonë për të marrë pjesë në zgjedhje të lira dhe të drejta”.

Shanset e Gerri Kasparovit duken të pakta. Anketat e kohëve të fundit të opinionit tregojnë se popullariteti Vladimir Putinit mes rusëve i kalon 80 përqindët.

Vladimir Putinit i njihet merita e kryerjes së reformave tejet të nevojshme të ekonomisë dhe vendosjes së stabilitetit politik në Rusi. Aktualisht Rusia ka një rritje të ndjeshme ekonomike si rezultat i ngritjes së çmimeve të naftës. Analistët thonë se kjo është edhe arsyeja kryesore për popullaritetin e zotit Putin.

Kritikët thonë se një arsye tjetër është se opozita nuk ka qënë e aftë të kritikojë me efikasitet politikat e Kremlinit, sepse pjesa më e madhe e medias ruse kontrollohet nga shteti. Perëndimi e ka akuzuar vazhdimisht Moskën se i ka kthyer mbrapsht liritë demokratike, duke kufizuar mundësitë e opozitës dhe lirinë e fjalës. Gjashtë muaj para se t’i përfundonte afati, Vladimir Putini emëroi papritur ekonomistin 66-vjeçar, Viktor Zubkov, Kryeministër të vendit. Menjëherë pas këtij emërimi, zoti Zubkov, i cili njihet për besnikërinë e tij nga zotit Putin, tha se do të konkuronte për postin e presidentit. Tri javë më pas zoti Putin th ase mund të bëhej kryeministër nën presidentin e ri.

Analistët thonë se një skenar i tillë mund t’u shërbejë të gjithëve, publikut rus dhe Perëndimit. Pa ndryshuar kushtetutën, ai i krijon mundësi zotit Putin të qendrojë në pushtet edhe për një mandat të tretë, pa shkelur ndonjë ligj dhe i hap rrugën atij të konkurojë përsëri për postin e presidentit në 2012-tën, gjë që tashmë e ka sugjeruar Partia “Rusia e Bashkuar”. //RD//

XS
SM
MD
LG