Lidhje

Sekretari amerikan i mbrojtjes kritikon ashpër aleatët e NATO-s


Sekretari amerikan i mbrojtjes kritikoi të enjten ashpër aleatët e NATO-s, pak pasi u largua nga një takim me ministrat e mbrojtjes së aleancës. Sekretari foli në një takim me shefat e ushtrive evropiane në Gjermani.

Sekretari Gates tha se disa aleatë nuk duan që t’i përballojnë së bashku rreziqet e misionit të NATO-s në Afganistan, ndërsa disa të tjerë japin forca por vënë kufizime për përdorimin e tyre, gjë që sipas tij ngarkon pa të drejtë anëtarë të tjerë. Ai tha se ka vende anëtare që i plotësojnë angazhimet e tyre dhe disa që nuk e bëjnë këtë.

“Plotësimi i angazhimeve do të thotë që të marrësh parasysh edhe rrezikun dhe shfaqjen e vullnetit politik të nevojshëm për të dislokuar forcat e armatosura edhe në vende të tjera, me kapacitet të plotë njerëzor dhe paisje të plota dhe pa kufizime që minojnë misionin. Në Afganistan, një numër aleatësh po paguajnë çmimin dhe po përballojnë peshën e aleatëve për të krijuar mjedisin e nevojshëm për zhvillim ekonomik, për të ndërtuar institucionet dhe vendosjen e shtetit ligjor. Mungesa e zbatimit të këtyre angazhimeve e vendos misionin afgan dhe besueshmërinë e NATO-s në një rrezik real”.

Sekretari Gates tha se kufizimet i kanë dëmtuar përpjekjet e NATO-s në Afganistan. Ai u bëri thirrje ushtarakëve të lartë që të përpiqen të bindin udhëheqësit e vendeve të tyre që të heqin dorë nga këto kufizime.

“Përparimi ynë në Afganistan është i prekshëm, por ende i brishtë. Në këtë moment, shumë aleatë nuk e kanë vullnetin që të marrin përsipër rreziqet, të vënë në dispozicion burimet dhe të vazhdojnë angazhimet kolektive për këtë mision dhe ndaj njëri tjetrit. Si rezultat, ne rrezikojmë që arritjet në Afganistan të na ikin nga duart”.

Sekretari Gates tha se njerëzit mund t’i vënë në dyshim vlerat e NATO-s nëse aleanca nuk paraqet një front të përbashkët për të plotësuar një mision për të cilin anëtarët e saj mendojnë se është i drejtë moralisht dhe jetik për sigurinë e tyre.

Sekretari tha gjithashtu se anëtarët e NATO-s duhet të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen dhe aleanca duhet të ndërmarrë ndryshime institucionale që kërkojnë një vullnet real politik.

Komentet e zotit Gates ishin shumë më të ashpra sesa ato që ai mbajti në takimin e NATO-s, kur e quajti se sesionin pozitiv dhe vuri në dukje se shumë anëtarë të NATO-s po rrisin angazhimin e tyre në misionet e Afganistanit. Më pas, një zyrtar i lartë i mbrojtjes tha se komentet ishin si dy anët e të njëjtës medalje. //kk//

XS
SM
MD
LG