Lidhje

Argjentina bëhet gati të ketë në krye presidenten e parë grua 


Më shumë se 50 vjet më parë, Argjentina nxorri ndoshta politikanen femër më të famshme, ose famëkeqe të Amerikës Latine: Eva Peron, gruaja e Presidentit Juan Peron. Sot 54 vjeçarja Cristina Fernandez po realizon diçka që Eva Peron, ose Evita siç njihej nuk mund as ta imagjinonte.

“Një grua presidente! Mësohuni të gjithë me këtë ide. Një grua! E di që ju jeni mësuar të keni udhëheqës burra, por tani duhet të mësoheni edhe me gratë”.

Shumë argjentinas, veçanërisht gratë, janë të kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve. Ja ç’thotë Gabriela Villa, një kamarjere në Buenos Aires:

“Ky është një shans i madh për Argjentinën, pasi burrat që kanë qeverisur deri tani nuk kanë bërë ndonjë punë të madhe”.

Të tjerë janë më të rezervuar dhe po presin para se të japin mendim. Shumë vënë në dukje se gjatë fushatës zonja Fernandez kurrë nuk ka thënë se çfarë do të bëjë si presidente, duke folur vetëm në përgjithësi për të çuar më përpara begatinë dhe punuar për drejtësi sociale.

Mësuesja Karina Pugliese mbledh supet kur e pyesin për zonjën Fernandez:

“Gjithçka varet nga puna e saj pasi të marrë pushtetin”.

Llogaritari Marcelo Mora thotë se nuk ka problem me idenë e një gruaje presidente përsa kohë ajo ta kryejë mirë detyrën.

“Nuk ka lidhje me gjininë. Nëse është e zonja, atëherë udhëheqja e saj është e mirëpritur”.

Në një vend ku burrat kanë mbizotëruar tradicionalisht çdo apekt të politikës dhe tregëtisë, zgjedhja e zonjës Fernandez është historike. Disa thonë se ngjitja e saj në pushtet u ndihmua nga kriza financirae e Argjentinës në vitin 2001. Claudia Solana, që punon si guidë turistike në Buenos Aires thotë se kriza përgatiti terrenin për fuqizimin dhe ardhjen në pushtet të Nestor Kirschnerit dhe u bë shkëndijë e ndryshimeve sociale ndërsa familjet argjentinase përpiqeshin të kapërcenin krizën ekonomike.

“Kështu burrave iu desh ta pranonin që gratë e tyre të linin shtëpitë dhe të shkonin në punë. Gratë filluan të zënë pozicione në kamponi private dhe tani edhe në qeveri, në politikë. Si rezultat burrat e pranojnë tani që gratë të kenë pushtet”.

Cristina Fernandez i takon Partisë Peroniste të Argjentinës. Ashtu si Eva Peron, asaj i pëlqen të vishet me rroba stilistësh të njohur të modës dhe kujdeset për imazhin e saj publik. Ndryshe nga Peron, ajo vjen nga një familje e mesme, duket se parapëlqen bashkëbisedimin pragmatik në vend të hiperbolave karizmatike dhe nuk konsiderohet si një mbrojtëse radikale e të varfërve.

Disa thonë se avantazhi i saj më i madh politik, fakti që është gruaja e Presidentit Kirschner, mund të kthehet edhe në pikën e saj më të dobët. Ja ç’thotë konsulenti politik Sergio Berensztein:

"Ajo vjen në pushtet falë presidencës së të shoqit, gjatë së cilës ekonomia u rrit, papunësia ra dhe autoriteti i presidentit u rimëkëmb. Në të njëjtën kohë, problemet e saj kryesore janë ato që Presidenti ndoshta nuk i ka realizuar, si kontrolli i inflacionit, lufta ndaj korrupsionit, zgjerimi i burimeve të energjisë dhe lufta kundër krimit”.

Fernandez dhe Michelle Bachelet, presidente e Kilit janë dy gratë e vetme udhëheqëse të Amerikës Latine. Por një grua tjetër mund të vijë në pushtet në kontinentin amerikan vitin e ardhshëm: Hillary Clinton. Ashtu si zonja Fernandez, edhe zonja Clinton ka qenë zonjë e parë dhe aktualisht është senatore e Nju Jorkut. Por ndërsa Cristina Fernandez u caktua nga i shoqi për të kandiduar, zonja Clinton është në garë për emërimin e partisë demokrate.

Disa vëzhgues flasin për një aleancë të mundshme mes të dyja politikaneve, nëse senatorja Clinton zgjidhet. Por analisti politik Rosendo Fraga, nuk është i sigurt:

"Nuk e di a do të ketë ndonjë miqësi të ngushtë mes tyre. Por mendoj se Cristina beson që një qeveri e udhëhequr nga Hillary në Shtetet e Bashkuara, do të përbënte një mundësi për të vendosur marrëdhënie dypalëshe më miqësore me Shtetet e Bashkuara”.

Ndërsa Presidenti Nestor Kirschner nuk ka luajtur ndonjë rol të madh në skenën botërore, Fernandez e ka bërë të njohur dëshirën për udhëtuar dhe për të komunikuar me udhëheqës të huaj. Ajo thotë se një nga objektivat kryesore të politikës së saj të jashtme do të jetë tërheqja e më shumë investimeve të huaja në Argjentinë. //kk//

XS
SM
MD
LG