Lidhje

Shqipëri: Duket se është përmbysur tryeza për reformën në drejtësi


Tryeza e partive politike për reformën në drejtësi, organizuar nga presidenti Bamir Topi duket se është përmbysur tërësisht. Situata e ndezur politike, çështja Sollaku dhe komisioni për shkarkimin e tij dhe acarimi i marrëdhënieve me presidentin ka bërë që opozita të mos ketë asnjë shpresë për bashkëpunim për reformim të sistemit të drejtësisë.

Kryetari socialist Edi Rama deklaroi sot se nga ana e shumicës dhe e kryeministrit ka jo vetëm një mungesë të hapur vullneti por dhe përpjekje për të uzurpuar të gjitha institucionet e pavaruar që t’i kthejnë në vegla të tyre.

“Përsa kohë jemi në këtë situatë nuk shoh asnjë mundësi që të gjendet hapësira e bashkëpunimit të vullnetit të mirë nga të gjitha palët. Sepse kjo është një reformë për të cilën ne jemi tërësisht të angazhuar, por që nuk mund të bëhet vetëm nga njëra palë. Duhet dhe pala tjetër. Dhe pala tjetër është angazhuar në një deformim të ri të sistemit. Gjë që do të thotë se perspektiva e reformës në drejtësi është shumë e errët”.

I shqetësuar për çështjen e reformës në drejtësi është edhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, sipas së cilit asaj po i jepet goditje me komisionin e dytë hetimor për kryeprokuorin:

“Heqja e kryeprokuorit mund të ishte një rezultat i kësaj reforme por nuk mund të jetë e barabartë me atë që është përmendur nga mazhoranca si reformë. Në momentin që do të kemi një akt konkret nga ana e patrlamentit dhe e presidentit që konfirmon shkarkimin e kryeprokuorit, goditet i gjithë sistemi i drejtësisë dhe funksionimit të shtetit dhe demokracisë në vend”.

Por reforma në drejtësi duket se është vetëm një nga çështjet për të cilat opozita sulmon të djathtët. Kryetari socialist Edi Rama iu referua sot vlerësimit të disa standarteve nga programi i Sfidës së Mijëvjecarit ku siç u shpreh ai Shqipëria ka bërë hapa prapa krahasuar edhe me 2005 e duke bërë që vendi sipas tij të humbasë mundësinë për një grant prej 250 milion dollarësh nga programi Kompact.

“Në këtë vlerësim Shqipëria ka ecuri të papranueshme. 12 nga 16 treguesit janë të parealizuar dhe e kanë bërë të pamundur vazhdimin e programit amerikan për Shqipërinë në dy vitet e ardhshme. Ky është një lajm i keq. Shqipëria ka mbetur në klasë”.

Nga ana e saj qeveria deklaroi sot pasdite se shifrat e ofruara nga zoti Rama nuk janë të vërteta dhe se Shqipëria nuk bën pjesë në vendet me të cilat ai e ka krahasuar atë. Sipas zëvendëskryeministrit Gazmend Oketa, korporata e Sfidës së Mijëvjecarit ende nuk ka përfunduar vlerësimin për vitin 2006, gjë e cila pritet të përfundojë në javët e ardhshme.

Një zëdhënës i korporatës së sfidës së Mijëvjecarit i tha Zërit të Amerikës se Shqipëria është një vend kandidat dhe se ecuria e saj vlerësohet çdo vit. Për momentin, shpjegoi zëdhënësi, Shqipëria ende nuk i plotëson kriteret për programin Kompakt prandaj është pjesë e programit fillestar të Pragut të Mijëvejcarit për të përmirësuar ecurinë në mënyrë që të kualifikohet më tej dhe se deri tani po bën përparim të mirë në këtë program. Sipas zyrtarit, programi i pragut është dy vjecar dhe ai përfundon në 2008. (ze)

XS
SM
MD
LG