Lidhje

ElBaradei: Gatishmëria e Iranit për bashkëpunim – një hap i mirë


Kreu i agjencisë bërthamore të Kombeve të Bashkuara thotë se refuzimi i Iranit për të pezulluar pasurimin e uraniumit është për të ardhur keq por shtoi se gatishmëria e tij për të bashkëpunuar me ekspertët e OKB-së është një hap në drejtimin e duhur. Korrespondentja jonë na njeh me përpjekjet e agjencisë për një zgjidhje diplomatike të çështjes.

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore, Mohamed ElBaradei tha se Irani kohët e fundit ka rënë dakord të bashkëpunojë me hetuesit ndërkombëtarë. Por zoti Baradei ngul këmbë se ende kërkon bashkëpunim dhe transparencë të plotë nga ana e Teheranit.

Duke folur dje përpara Asamblesë së Përgjithëshme, zoti ElBaradei tha se agjencia e ka patur të pamundur të verifikojë disa aspekte të rëndësishme të programit bërthamor të Iranit. Ai shprehu keqardhje që Irani vazhdon të ndërtojë një reaktor me ujë të rëndë dhe tha se Irani duhet t’i provojë me çdo kusht komunitetit ndërkombëtar se e ka seriozisht kur flet për përdorimin e energjisë bërthamore për qëllime paqësore. "Nëse agjencia do të ishte në gjendje të jepte sigurime të besueshme rreth natyrës paqësore të programit bërthamor iranian në të kaluarën dhe tani, kjo do të kishte një ndikim të madh në krijimin e besimit dhe mund të ndihmonte për të krijuar kushtet për një zgjidhje të plotë dhe afatgjatë të problemit," tha zoti ElBaradei.

Ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Zalmay Khalilzad, tha se zgjidhja e çështjet bërthamore iraniane është me rëndësi thelbësore dhe vendet perëndimore po hartojnë një rezolutë të re të OKB-së për të shtuar presionin mbi Iranin. Uashingtoni i vuri sanksione të reja Iranit javën e kaluar dhe është folur madje për masa më të ashpra që mund të ndërmerren ndaj Teheranit.

Zoti Khalilzad tha se një marrëveshje me Iranin për pezullimin e pasurimit të uraniumit duhet të arrihet menjëherë. "Duke patur parasysh të kaluarën e këtij regjimi, retorikën, politikat dhe lidhjet e tij, nuk mund të jetë e pranueshme që ai të zhvillojë aftësinë për prodhimin e armëve bërthamore."

Zoti ElBaradei tha të dielën se nuk ka prova që të tregojnë se Irani po përpiqet të prodhojë bombën atomike dhe se këtij vendi do t’i duheshin vite për të arritur atë shkallë. Por Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore, si Franca, dyshojnë se Irani ka një program armësh bërthamore. Irani vazhdon ta mohojë këtë akuzë dhe thotë se programi i tij bërthamor i shërben thjesht prodhimit të energjisë.

Ambasadori iranian në OKB, Mohammad Khazaee thotë se Irani ka të drejtë të zhvillojë teknologji bërthamore për qëllime paqësore. "Të gjitha raportet e publikuar nga Agjencia e OKB-së për Energjinë Bërthamore që nga nëntori 2003, flasin për natyrën paqësore të programit bërthamor iranian dhe agjencia ka rotheksuar se “nuk ka parë shenja të transferimit të materialit bërthamor për armë bërthamore ose për mekanizma të tjera shpërthyese bërthamore."

Marrëveshja e arritur në muajin gusht mes Iranit dhe agjencisë bërthamore të OKB-së është kritikuar se e lejon Teheranin të fitojë kohë, por zoti ElBaradei thotë se kjo marrëveshje, e cila synon të sqarojë përpjekjet e Teheranit në këtë aspekt deri në fund të këtij viti, është një hap përpara në drejtimin e duhur. //ii

XS
SM
MD
LG