Zyrtarë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë thanë sot se katër subjekte politike nga radhët e komunitetit serb kanë kërkuar që të tërhiqen nga listat për zgjedhjet parlamentare e lokale te 17 nëntorit në Kosovë.
Zyrtarët nuk bënë të ditur se cilat janë këto subjekte por theksuan se edhe nëse tërhiqen nga zgjedhjet emrat e tyre do të jenë në listat e votuesve, meqë afati për tu tërhequr tashmë ka kaluar. Nga 97 subjekte të regjistruara për të marrë pjesë në zgjedhjet e 17 nëntorit, janë 33 parti politike, nisma qytetare dhe kandidatë të pavarur nga radhët e komunitetit serb.
Por në mesin e tyre nuk janë përfaqësuesit kryesor politikë siç është lista serbe për Kosovën e drejtuar nga Oliver Ivanoviç. Autoritetet e Beogradit u kanë bërë thirrje serbëve të Kosovës të mos marrin pjesë në zgjedhjet e 17 nëntorit duke thelluar ndarjet ndërmjet vetë përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës.
Derisa përfaqësuesit e këshillit Kombëtar serb në veriun e Kosovës të njohur si udhëheqës politikë të vijës së ashpër e kanë mirëpritur vendimin e Beogradit, Lista serbe për Kosovën e ka cilësuar atë si një vendim të dëmshëm për vetë serbët.
Autoritetet vendase dhe ato ndërkombëtare në Prishtinë u kanë bërë thirrje pjesëtarëve të komunitetit serb që të bëhen pjesë e procesit politikë dhe e kanë kritikuar ashpër Beogradin për qëndrimin e tij kundruall integrimit të pakicës serbe në Kosovë.
Fushata për zgjedhjet e 17 nëntorit tashmë është në vlugun e saj, ndërsa kundër zgjedhjeve është pozicionuar edhe Lëvizja “Vetëvendosje” një lëvizje e cila kërkon pavarësimin e Kosovës pa negociata. Veprimtarët e kësaj lëvizjeje nëpërmjet një aksioni simbolik sot në qendër të Prishtinës kundërshtuan votimet duke I cilësuar ato siç u tha mohim i vullnetit politik të popullit të Kosovës dhe vazhdim të përkeqësimit të gjendjes në përgjithësi. Kjo lëvizje kërkon që në vend të zgjedhjeve të organizohet referendum për të ardhmen e Kosovës, duke kundërshtuar negociatat me Beogradin.
Vazhdimi i këtyre negociatave pritet të hënën në Vjenë ku Prishtina dhe Beogradi do të takohen në nivelin më të lartë me ndërmjetësimin e treshes së Grupit të Kontaktit. Por, nuk duket të ketë asnjë mundësi që të arrihet ndonjë marrëveshje ndërmjet të dyja palëve për shkak të qëndrimeve tërësisht të kundërta. Beogradi kërkon ruajtjen e sovranitetit mbi Kosovën, ndërsa për Prishtinën, pavarësia është e pa negociueshme. //iç//