Lidhje

Shqipëria kërkon ngritjen e shpejtë të tregut rajonal të energjisë


Diplomacia shqiptare do të angazhohet për të rritur bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit dhe të Europës Juglindore në fushat e ekonomisë, tregtisë dhe të energjisë, sa kohë që mes tyre kanë projekte të përbashkëta për t’u integruar në Bashkim Europian dhe në NATO.

Kështu deklaroi ministri i jashtëm i Shqipërisë, Lulëzim Basha, në një takim me diplomatët shqiptarë në bote dhe diplomatët e huaj të akredituar në Tiranë. Zoti Basha thotë se vendet e rajonit kanë ndërtuar rrjete bashkëpunimi për të gjetur zgjidhje me interes të përbashkët si infrastruktura rrugore dhe energjia.

“Realizimi në praktikë i agjendave tona integruese varet para së gjithash nga projektet e zhvillimit të infrastrukturës, që kanë ndikim të drejtpërdrejtë për përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në rrjedhat evropiane. Prandaj del e domosdoshme që së bashku, duke përdorur edhe strukturat e ardhshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) të bashkëpunojmë për projektet tona në sektorin e transportit, konkretizimin e Tregut Rajonal Energjetik, veçanërisht për realizimin e projekteve të interkoneksioneve dhe të linjave të transmetimit të energjisë në rajon, me qëllim bërjen efektive të këtij tregu dhe rritjen e ndikimit të tij në kapërcimin e situatave të emergjencave energjike që prekin herë pas here vendet tona”- tha ministri Basha.

Zoti Basha tha se vendet e rajonit duhet të punojnë më shumë për të lehtësuar më tej qarkullimin e lirë të qytetarëve në Europën Juglindore dhe në Ballkan, sepse kjo do të ishte një nxitje edhe për ekonominë e këtyre vendeve

“Krijimi i një zone të lirë tregtare për Evropën Juglindore është tashmë një arritje konkrete e integrimit tonë rajonal. Por ky proces integrimi tregjesh nuk është i plotë pa sigurimin e kushteve për lëvizjen e lirë të njerëzve në rajon. Konkretizimi i hapave në këtë drejtim, mendojmë se duhet të vazhdojë të jetë një nga prioritetet e bashkëpunimit të vendeve tona për periudhën afatmesme në fushën e drejtësisë e të punëve të brendshme”- tha zoti Basha.

Vendet e rajonit bashkëpunojnë përmes një numër marrëveshjesh dypalëshe si marrëveshjet e tregtisë së lirë, dhe projektet e përbashkëta për t’u integruar në NATO dhe Bashkimin Europian. Diplomatët shqiptarë dhe ndërkombëtarë diskutuan mbi projektet për zgjerimin e tyre dhe për ta bërë ekonominë e këtij rajoni sa më konkurruese në tregjet europiane dhe botërore. //iç//

XS
SM
MD
LG