Lidhje

Fushata e Republikanëve në Aiova në prag të zgjedhjeve partiake


Republikanët në shtetin Iowa e kanë afruar datën e zgjedhjeve partiake në shtetin e tyre. Zgjedhjet do të zhvillohen më 3 janar, në mënyrë që ky shtet të ruajë statusin e tij si i pari në vend që zhvillon votime për zgjedhjen e kandidatëve të secilës parti në zgjedhjet presidenciale. Kanë mbetur vetëm 2 muaj nga këto zgjedhje, gjë që i ka dhënë një shtytje të re sezonit të fushatës në Iowa.

Në Iowa fushata ka hyrë në fazën kulmore dhe kandidatë si ish-guvernatori i Masaçusetsit Mit Romni, kanë ardhur për të mobilizuar përkrahësit e tyre republikanë.

Iowa është unike në politikën amerikane, si shteti i parë që zgjedh përfaqësuesin e secilës parti në zgjedhjet presidenciale. 13 nga të 14 kandidatët e fundit që kanë konkuruar në zgjedhjet presidenciale kanë fituar në Iowa.

Banorët e këtij shteti e marrin shumë seriozisht këtë rol. Mit Romni, i cili kryeson në anketat e zgjedhësve republikanë, u prit nga një turmë entuziaste, megjithë temperaturat e ulëta të asaj dite:

"Kur ju pyet dikush se çfarë parimesh janë boshti i Partisë Republikane, mund t’u përgjigjeni: së pari liria, së dyti vlerat. Unë do të thoja se këtu përfshihet edhe forca".

Banorët e Iowas thonë shpesh: Duhet ta takosh një kandidat së paku 4 herë, para se të vendosësh nëse do të votosh për të. Ata mbajnë të njëjtin qëndrim ndaj fushatës presidenciale, si kur shkojnë për të blerë një makinë. U pëlqen të provojnë rrotat, ta marrin makinën për një xhiro, për ta parë si ecën.

Në Iowa njerëzit janë mësuar me vëmendjen që u kushtojnë kandidatët, por nuk e japin votën lehtë. Mit Romni është kandidati i katërt që Larry dhe Georgia Speed kanë parë këtë vit. Ata nuk kanë vendosur ende.

Xhorxhia dhe Leri Spid, votues në Aiova:

Nuk mund të vendosim ende. Kemi kohë.

A po mendoni për ndonjë kandidat tjetër?

Po i analizojmë të gjithë kandidatët republikanë.

Iowa është shtet bujqësor me shumë qytete të vogla, si Waukee në dalje të Des Moines. Në të gjithë shtetin komitete zonale të partive kryesore kanë filluar përgatitjet për zgjedhjet partiake.

Banorët këtu nuk votojnë si në pjesë të tjera të vendit. Natën e votimeve, ata mblidhen në bashki, në palestrat e shkollave dhe në shtëpi. Përkrahësit e secilit kandidat mblidhen në grupe përkatëse për të përllogaritur mbështetjen në secilën zonë partiake. Këtu anëtarët e Partisë Republikane të Komunës Dallas po diskutojnë planet për natën e votimit. Kryetari i Aktivit të Partisë Republikane për këtë komunë, Mitch Hambleton, flet për temat që janë të rëndësishme për votuesit në këto zgjedhje:

"Mendoj se Partia Republikane është përqëndruar së tepërmi në disa tema sociale. Nuk diskutohet që nuk mund të biem të gjithë dakord për të gjitha çështjet. Duhet t’i kthejmë sytë nga temat bazë që identifikojnë partinë republikane – përgjegjësia fiskale, taksat e ulëta, hapja e mundësive për amerikanët".

Republikanët në Iowa do të votojnë për kandidatin për zgjedhjet presidenciale më 3 janar 2008. Pak kohë më parë edhe demokratët shpallën të njëjtën ditë për zgjedhjet e tyre. Pasi shteti Wyoming shpalli datën 5 janar për zgjedhjet e tij partiake, data e caktuar në Iowa u afrua 11 ditë për të ruajtur statusin e këtij shteti si i pari në vend që zhvillon zgjedhjet partiake për kandidatët presidencialë. //iç//

XS
SM
MD
LG