Lidhje

Letrat e van Gogut hedhin dritë mbi jetën dhe veprën e tij


Vincent van Gogu i ka sjellë disa nga pikturat më të njohura dhe me vlerë në historinë e artit. Por ai kujtohet shpesh edhe për varfërinë e tij dhe natyrën e tij të çuditshme dhe problemet mendore. Një ekspozitë e kohëve të fundit në Nju Jork paraqet një anë të Van Goghut që rrallë është shfaqur, këtë herë përmes fjalëve dhe jo penelit.

Vincent van Gogu ka krijuar pothuajse 900 piktura dhe mbi 1 mijë vizatime dhe vepra me bojë uji, por ai kishte edhe pasionin për të shkruar letra të shumta dhe të gjata. Gjatë jetës së tij ai shkruajti më shumë se 800 letra, shumica drejtuar vëllait të tij Theo. Në dy vitet e fundit të jetës që ai i kaloi në Jug të Francës kur edhe krijoi disa nga veprat më të famshme, van Gogh mbajti korrespondencë edhe me mikun e tij, poet dhe piktor, Emile Bernard.

Në një ekspozitë të titulluar “Pikturuar me fjalë”, Biblioteka Morgan e Nju Jokrut përqendrohet në 20 letra që Van Goghu i shkroi Bernardit nga viti 1887 deri në vitin 1889. Kuratorja Jennifer Tonkovich thotë se fjalët e van Goghut në këto letra tregojnë shfaqin një anë të piktorit të panjohur për publikun e përgjithshëm.

“Ai është shumë më i sinqertë. Ai flet për marrëdhëniet e tij intime dhe për shëndetin e dietën e tij, si edhe idetë e tij për artin, fenë dhe filozofinë. Kështuqë letrat janë më të hapura, më ekspresive, ndërsa gjuha është më e drejtpërdrejtë”.

Van Gogu u takuan me Bernardin në Paris në vitin 1886 dhe miqësia e tyre vazhdoi përmes korrespondencës kur piktori hollandez vendosi të shkojë në Jug të Francës për arsye shëndetësore dhe për frymëzim.

Nuk dihet se ku janë letrat që Bernardi i dërgoi Van Gogut, por letrat e piktorit i ka një koleksionues nga Nju Jorku. Ato zbulojnë një dialog dinamik, intensiv dhe të vazhdueshëm mes dy artistëve. Përmes këtyre letrave shpaloset një pjesë e mendjes së piktorit:

“I dashur Bernard,

Jam kurjoz të di se si ia ke kaluar kohët e fundit. Unë po vazhdoj të punoj me peizazhe. Do të më pëlqente gjithashtu të vizitoja Afrikën. Por nuk po bëj plane përfundimtare për të ardhmen. Varet nga rrethanat. Do të kisha dëshirë të dija për shembull se çfarë efekti do të jepte një blu më e thellë e qiellit”.

Zonja Tonkovich thotë se letrat janë dëshmi e viteve të fundit të jetës së shkëlqyer por edhe të turbulluar psikologjikisht të Van Gogut, para se të vriste veten në moshën 37 vjeçare në vitin 1890. Ajo thotë se megjithëse ka paragrafë që i referohen sëmundjes së tij, letrat kanë kryesisht një ton shpresëdhënës, logjik dhe të aryeshëm. Në një letër Van Gogu flet për një nga pikturat e tij më të famshme, “Natë me yje mbi Ronë”.

“Unë nuk mund ta fsheh faktin që më pëlqen fshati, duke qenë se jam rritur atje. Copëra kujtimesh nga e kaluara më sjellin një mall të pamatë për atë hapësirë pa fund. Ato më magjepsin gjithnjë. Por kur atëherë do ta hedh në telajo natën me yje, atë pikturë që nuk më largohet nga mendja?”

Kuratorja Tonkovich thotë se letrat e Van Gogut janë të njohura në Evropë dhe studiuesit i citojnë shpesh ato, por publiku i gjerë amerikan nuk i ka parë ende ato. Ajo shton se ekspozita i jep një shans publikut që të njohë mendimet e tij dhe ta shohë veprën e tij përmes fjalëve të atij vetë.

Letrat shoqërohen nga piktura apo skica të Van Gogut dhe Bernardit. Zonja Tonkovich se ajo i vuri së bashku pikturat dhe fotgrafitë që i mori hua nga institucione dhe pronarë të ndryshëm, për të shpjeguar më qartë se për çfarë flasin në letra dy artistët.

Ajo thotë se van Gogu dhe Bernardi ia kishin dërguar njëri-tjetrit disa nga pikturat dhe shumë nga letrat e van Gogut përmbajnë skica që ai kishte vizatuar në krah të fjalëve.

Kuratorja thotë se shumë vizitorë e njohin van Gogun, por ajo shpreson që ata të vlerësojnë një aspekt tjetër të artistit.

“Ne nuk po u mësojmë atyre se cili është van Gogu por mund t’u themi: ‘Ju e njihni van Gogun. Ne po ju tregojmë një anë të tij që mbase nuk e njihni’. Bëhet fjalë për miqësinë me Bernardin dhe kjo do t’ju bëjë ta vlerësoni më shumë artistin, veçanërisht letrat e tij”.

Megjithëse në një nga letrat van Gogu i quan mendimet e tij të rëndomta, kjo është fjala e fundit që të vjen ndër mend kur sjell ndër mend van Gogun dhe ekspozita e fundit është një shfaqje dinamike e fjalëve. //kk//

XS
SM
MD
LG