Lidhje

Ekspertët: Retorika e fortë amerikane ndaj Iranit, e pamjaftueshme


Ligjvënësit në Kongresin amerikan dëgjuan këtë javë argumentat e ekspertëve, të cilët thonë se shtimi i retorikave nga Shtëpia e Bardhë lidhur me ambicjet bërthamore të Iranit mund të ketë pasoja të kundërta. Teherani këmbëngul se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore, por Shtëpia e Bardhë thotë se mbështetja e terrorizmit nga Irani dhe deklaratat anti-izraelite nga udhëheqësit iranianë flasin për të kundërtën. Disa ekspertë të Lindjes së Mesme thonë se deklaratat e ashpra duhet të balancohen me taktika diplomatike nëse Shtetet e Bashkuara shpresojnë të fitojnë një farë mbështetje në Iran.

Sekretarja amerikan e Shtetit, Kondoliza Rajs, thotë se asnjë alternativë nuk është përjashtuar dhe presidenti Bush ka lënë të kuptohet se qëndrimi i vazhdueshëm mospërfillës i Iranit mund të çojë në konflikt ushtarak.

Por disa demokratë e akuzojnë administratën amerikane se po i hedh më shumë benzinë një zjarri tashmë të rrezikshëm. Kryetari i një nënkomisioni të Dhomës së Përfqësuesve, që përpiqet të gjejë mënyra për t’u marë me Iranin, thotë se deklaratat e ashpra i kujtojnë atij situatën para ndërhyrjes ushtarake amerikane në Irak. Anëtari i Kongresit nga shteti i Nju Jorkut, Brajën Higins e cilëson këtë qëndrim si të papërgjegjshëm. “Është shqetësues sepse është një qëndrim krejt i papërgjegjshëm. Është një qëndrim që nxit luftën dhe krijon një ndikim ndoshta edhe më destabilizues në një rajon me shumë rëndësi për interesat tona strategjike”.

Disa republikanë thonë se deklaratat e ashpra janë të domosdoshme. Por anëtari republikan i kongresit amerikan, Kristofër Shejs thotë se sanksionet ekonomike kundër ushtrisë dhe institucioneve bankare të Iranit duhet të shoqërohen me një dialog të hapur. “Ka ardhur koha që të flasim me Iranin, diplomati me diplomatin, politikani me politikanin dhe personi me personin”, tha zoti Shejs.

Shtëpia e Bardhë thotë se ka bërë të gjitha përpjekjet diplomatike dhe javën e kaluar vendosi sanksione të gjithashme ekonomike, duke vënë në shënjestër institucionet bankare të Iranit, si dhe pjesën elitë të ushtrisë së atij vendi.

Sanksionet synojnë të dëmtojnë aftësitë e Iranit për biznes në botë dhe të pakësojnë ndikimin e Gardës Revolucionare të Iranit, të cilën zyrtarët amerikanë e akuzojnë se u jep armë militantëve në Irak. Por Kurim Saxhapur, ekspert për Lindjen e Mesme pranë Fondacionin Karnegi për paqe ndërkombëtare, thotë se hapat amerikane mund të kenë efekt të kundërt nëse Shtetet e Bashkuara nuk i bindin iranianët se braktisja e programit bërthamor do të sjellë paqe dhe qëndrueshmëri në rajon. “Gjithnjë e më shumë iranianët thonë, se nëse u duhet të zgjedhin midis demokracisë dhe masakrës, që shikojnë në Irak, dhe asaj që ata kanë, e që është regjimi autoritar dhe siguria, ata do të zgjidhnin atë që tashmë e kanë”.

Por disa analistë të tjerë këmbëngulin se qëndrimi që mbajnë Shtetet e Bashkuara është i domosdoshëm për të bindur pjesën tjetër të botës rreth rrezikut, që përbën një Iran me armë bërthamore. Një prej tyre është Keneth Kazman, specialist i Lindjes së Mesme në Shërbimin Kërkimor të Kongresit. “Deklaratat për ndërhyrje ushtarake kanë bindur deri diku evropianët se sa serioz konsiderohet ky kërcënim në Shtetet e Bashkuara, madje i ka nxitur ata të ofrojnë propozime të reja për sanksione për t’i bërë presion Iranit pa përdorimin e forcës”. Shtetet e Bashkuara kërkojnë mbështetjen e vendeve evropiane, ndërsa përpiqen të sigurojnë këtë javë sanksione të reja në Kombet e Bashkuara. Megjithëse sanksionet janë vënë kundër bankave iraniane, firmat evropiane dhe të tjera të huaja, që kanë lidhje tregëtare me Teheranin do të ndjejnë gjithashtu ndikimin. //rd//

XS
SM
MD
LG