Lidhje

Fëmijët e pakicave përfshihen në sistemin e arsimit në Kosovë


Autoritetet në Kosovë thanë sot se shkalla e sigurisë së lëvizjes gjatë tetë viteve të fundit, ka ndikuar në përfshirjen e fëmijëve të komuniteteve pakicë në sistemin e arsimit në Kosovë.

Këto komente u bënë gjatë prezantimit të strategjisë për integrimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptase në sistemin arsimit. Kjo strategji e hartuar nga qeveria e Kosovës në bashkëpunim me përfaqësuesit e komuniteteve synon përmirësimin e pozitës së tyre që vlerësohet ende mjaft e rëndë.

Përfaqësuesit e Forumit të Kosovës për rom, ashkali dhe egjiptas vunë në pah vështirësitë në arsimimin e komuniteteve, të cilat sipas tyre fillojë nga regjistrimi i nxënësve nëpër shkolla, njohja e gjuhës, pranimi nga komuniteti shumicë, paragjykimet karshi komuniteteve, pabarazia kulturore, sociale e ekonomike, që paraqesin disa nga problemet që kanë nxitur një nivel të ultë të përfshirjes së pjesëtarëve të këtyre komuniteteve në sistemin e arsimit.

Strategjia veçon edhe shkallën e sigurisë së lëvizjes në Kosovë si njërin nga faktorët që ushtron ndikim në numrin e vogël të fëmijëve të komuniteteve të përfshirë në arsimin e nivelit parauniversitar dhe atë universitar. Sipas autoriteteve kjo strategji synon ndërtimin e sistemit arsimor cilësor dhe gjithëpërfshirës, të bazuar në drejtësi, barazi dhe respekt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

Integrimi i komuniteteve vazhdon të jetë një ndër sfidat kryesore në Kosovë. Derisa pjesa më e madhe e komuniteteve janë bërë pjesë e procesit politik, çështje e pazgjidhur vazhdon të mbetet integrimi i pakicës serbe. (ze)

XS
SM
MD
LG